21.2 C
New York
Friday, June 20, 2025

Buy now

PS feston 34-vjetorin, Edi Rama: Në BE, brenda kësaj dekade

- Advertisement -

Partia Socialiste festoi 34-vjetorin e themelimit me një aktivitet festiv në selinë qendrore, ku u bashkuan brezi i ri i deputetëve dhe figurat historikële të saj. Kryeministri dhe njëherësh kryetar i PS-së, Edi Rama, e cilësoi këtë përvjetor si një “ditëlindje europiane”, për shkak të fitores në zgjedhjet e 11 majit, që sipas tij, përfaqëson një mandat besimi për të çuar Shqipërinë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Kjo fitore domethënëse është shoqëruar me një përgjegjësi më të madhe se kurrë më parë. Është një mandat besimi për të udhëhequr vendin dhe për të anëtarësuar Shqipërinë në BE brenda kësaj dekade”, tha Rama.

Duke u ndalur te arsyeja pse PS nuk “lodhet së fituari”, kreu i qeverisë theksoi se ajo që e mban të fortë është gatishmëria për të përballuar përgjegjësitë dhe për të reflektuar mbi gabimet.

Ne nuk i jemi shmangur asnjëherë përgjegjësive që sjell fitorja. Përkundrazi, ngarkojmë veten me më shumë punë dhe përpiqemi të përmirësojmë atë që mund të bëhet më mirë”, theksoi ai.

Për 53 deputetët që marrin për herë të parë mandatin, Rama pati një mesazh të qartë për përgatitjen e tyre në funksion të sfidave që i presin.

Parlamenti do të jetë shtylla kryesore e procesit të integrimit europian. Deputetët e rinj duhet të jenë të ndërgjegjshëm për peshën që mbajnë”, u shpreh ai, duke theksuar rëndësinë e burimeve njerëzore si vlera thelbësore e PS.

Menjëherë pas festës, këta deputetë do të nisin një trajnim intensiv në “Shkollën Verore” të PS, në Akademinë Politike të partisë, ku do mësojnë rreth procesit legjislativ, etikës parlamentare dhe rolit të tyre kushtetues.

Nuk munguan as batutat me figurat historike të partisë, ku Rama veçoi Arta Daden dhe Gramoz Ruçin. Me një ton miqësor, ai theksoi:

Zyshe, shyqyr që të kemi! Edhe shokun Gramoz, sa kohë e shoh këtu jam i sigurt që partia është në rrugën e duhur. Shqetësohuni ditën kur të mungojë Gramozi, se atëherë s’do jem as unë…”, u shpreh Rama mes duartrokitjeve të të pranishmëve.

Festës iu bashkuan figura të njohura nga politika, media dhe jeta publike, në një atmosferë që shënoi jo vetëm historinë e gjatë të PS, por edhe sfidat që e presin në vitet në vijim, me integrimin europian si objektivin kryesor.

Të ngjashme

Të fundit