Nga orët e para të mëngjesit, punëtorët e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Hidrodrini” përmes grevës njëorëshe kanë protestuar për kushte më të mira të punës e sidomos ngritje të koeficientit të pagës.
Me këtë rast kryetarja e Shoqatës Sindikale pranë KRU ‘Hidrodrini’, Anxhelina Krasniqi, tha se pavarësisht adresimit të kërkesave të menaxhmentit dhe dordit, sipas tyre, këto pakënaqësi dhe kërkesa nuk janë marrë në konsiderim. Madje ajo ka shtuar se për të punuar në sistematizimin e vendeve të punës, ata i kanë dhënë kohë për më shumë se dy vite.
“Çuditërisht gjatë hartimit të kësaj rregullore është bërë një diskriminim shumë i madh në mes punëtorëve të KRU ‘Hidrodrini’ në Pejë me KRU-të tjera në nivel të vendit, pra gjithsejt 6- të sosh. Diskriminimi është bërë pikërisht në vlerën e koeficientit. Kolegët tanë në Ndërmarrjet publike të Ujësjellësit në këto ndërmarrje tash e dy vjet e kanë vlerën e koeficientit 240, kurse ne këtu në ‘Hidrodrini’ e kemi të caktuar tash së fundi nga Bordi i Drejtorëve 190. Pra arsyeja e grevës së sotme është që edhe ne të barazohemi me kolegët tonë sepse neve na mundëson i njëjti legjislacion”, ka thënë Krasniqi.
Sindikalistët e KRU Hidrodrini në Pejë kanë paralajmëruar shqyrtimin e formave të tjera të kundërshtimit