Pak ditë kanë mbetur deri në protestën e radhës të OVL UÇK-së kundër padrejtësive në proceset gjyqësore në Gjykatën Speciale. Protesta kësaj radhe do të zhvillohet në Hagë.
Sheshi kryesor në Prishtinë, i mblodhi nga e tërë Kosova.
Protesta nën patronatin e organizatave të dala nga lufta, që grumbulloi mijëra njerëz, u bë kundër padrejtësive në gjykimet që po zhvillohen në Gjykatën Speciale.
Për qëllimin e njëjtë, një tjetër protestë është duke u organizuar nga OVL UÇK.
Kësaj radhe, qendra e protestës është Haga.
“Ne do t’i tregojmë botës demokratike dhe vendeve të Evropës se në këtë Gjykatë ka padrejtësi të mëdha, ka shkelje, me qindra shkelje brenda aty edhe nga Gjykata, por edhe nga vet sanksioneve që i janë vendosur presidentit dhe të tjerëve. Kështu që ky është mesazhi, e ne do t’i drejtohemi edhe me shkrim dhe t’i paraqesim kërkesat tona”, deklaroi kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati.
Mirëpo, çfarë efekti mund të prodhojnë këto protesta?
Përkundër këtyre protestave, Gjykata Speciale thotë se gjykimete tyre nuk ndikohen nga zhvillimet politike.
“Dhomat e Specializuara të Kosovës janë plotësisht të përqendruara në ofrimin e gjykimeve të drejta, të paanshme dhe të pavarura, pavarësisht nga zhvillimet politike”, deklaroi zëdhënësja e Gjykatës Speciale, Angela Griep.
Protesta të ngjajshme, në Kosovë e Hagë, janë mbajtur edhe në nisjen e gjyqit ndaj katërshes së UÇK-së.