Organizatori i protestës që do të mbahet më 14 shtator në Hagë, Fatmir Koci, thotë se interesimi i shqiptarëve për të marrë pjesë në këtë organizim, është tejet i madh. Ai shtoi se interesimi është më i madh nga mërgimtarët në Evropë, por edhe nga Amerika dhe Australia.
Të dielën në Info Magazine të Klan Kosovës, Koci tha se leja për të mbajtur këtë protestë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Gjykatën Speciale, e ka marr nga institucionet holandeze.
Ai ka bërë të ditur ndër të tjera se protesta do të jetë e njëjta si e 7 gushtit në Prishtinë, veçse gjitha pankartat do të jenë në gjuhën angleze, për të përcjellë sa më qartë mesazhin ndaj përfaqësuesve të shteteve perëndimore.
Ndër të tjera ai shton se kjo protestë po bëhet për t’i treguar botës demokratike se lufta çlirimtare ka qenë e drejtë.
“Atje, siç e dimë, nuk po gjykohen njerëz me emra të përveçëm – atje po gjykohet lufta e drejtë e Kosovës, po gjykohet shtetësia dhe liria jonë. Edhe një herë duhet t’i tregojmë botës demokratike se lufta jonë ka qenë e drejtë. Si veteranë të luftës, e kemi marrë si amanet nga shumë mërgimtarë që të jemi aty. Ka organizime nga shtete të ndryshme të Ballkanit, ndërsa nga Kosova tashmë kanë filluar edhe rezervimet për ardhje me autobusë,” tha ai.
Koci tregon edhe arsyen pse kanë zgjedhur datën 14 shtator për të dalë dh protestuar.
“Jo rastësisht e kemi përzgjedhur datën 14 shtator, pasi më 15 shtator pritet të fillojnë të dëshmojnë zyrtarët amerikanë në krahun e çlirimtarëve tanë”, deklaroi ai. /klankosova.tv