Qeveria e Gjeorgjisë po planifikon një paketë ligjore që do të rrisë dënimet për shkelësit në protesta teksa po përballet me një krizë politike.
Vendi i Kaukazit Jugor po përballet me protesta masive që nga nëntori, kur partia në pushtet që është në mandatin e katërt, njoftoi se do të pezullonte bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Europian deri në 2028. Ndryshimet e propozuara do të rrisin kohën e dënimeve me burg për shkelje të vogla administrative nga 15 në 60 ditë dhe do të rrisin gjobat dhe periudhat e ndalimit për organizime të vogla, fyerje ndaj policisë dhe shkelje të tjera.
Demonstratat kishin rënë në intensitet gjatë javëve të fundit, por u rinisën me forcë të dielën, kur mijëra njerëz bllokuan përkohësisht një autostradë kryesore që çon jashtë kryeqytetit. Tetë protestues, përfshirë ish-kryetarin e Tbilisit, Giorgi Ugulava, rrezikojnë deri në katër vjet burg për tentativën për të bllokuar autostradën, sipas akuzave të ngritura nga autoritetet gjeorgjiane të martën dhe të cituara nga mediat lokale. Gjeorgjanët kanë kërkuar zgjedhje të reja pas votimeve të tetorit, të cilat partitë e opozitës thonë se ishin të manipuluara në favor të partisë Georgian Dream. Kjo e fundit ka thënë se votimi ishte i lirë dhe i ndershëm.