Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, e cila nisi më 15 prill, vazhdon të mbetet e papërmbyllur, ndërsa përpjekjet për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit kanë dështuar për herë të nëntë.
Këtë herë, Lëvizja Vetëvendosje nuk e propozoi drejtpërdrejt kandidaten e saj, Albulena Haxhiu, për postin e kryeparlamentares, por përmes kryesuesit të seancës tentoi që votimi të bëhej në mënyrë të fshehtë – një propozim që u kundërshtua nga partitë opozitare.
Këtë e ka komentuar ish-deputeti Gani Geci, i cili në emisionin Debat Plus e quajti tentativën për votim të fshehtë si një përpjekje për të mundësuar blerjen e votave në mënyrë të fshehur.
Ai akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje se po përpiqet të manipulojë procesin duke krijuar hapësirë për pazare politike.
“Kjo vota e fshehtë. Këta që 2 muajt ditë janë duke tentuar të blejnë vota… Ata kanë tentuar dhe po tentojnë me ble vota. Dhe mund me shit votën fshehtë kollaj. Dhe s’dihet e kujt ka qenë. Këtë prostituonin publik, që kanë tentuar që disa muaj ta bëjnë, ua kam ‘gërrdit’.
Nuk kanë mundësi me bë më prostitucion politik publik, për arsye se po iu vjen marrë deputetëve me thënë po i shes votën. Po fshehtë e shesin… çka s’po blejke me pare, po blejke me ma shumë pare”, ka thënë Geci në Debat Plus.