Eugen Cakolli ka thënë se propozimi i Glauk Konjufcës për kryeministër është vetëm hapi i parë dhe jo akt kushtetues në vetvete.
“Propozimi i Glauk Konjufcës nga LVV është vetëm hapi i parë në një proces më të gjatë, jo një akt kushtetues në vetvete. ‘Gjasat për formim të qeverisë’ duhet të jenë të matshme dhe të verifikueshme”, ka shkruar Cakolli në Facebook.
“Çdo veprim pa prova reale do të ishte i diskutueshëm dhe do të krijonte precedent të rrezikshëm për të ardhmen – ku dy parti, mbase edhe me numër të njëjtë të deputetëve, do të mund të pretendonin njësoj se kanë shumicën, dhe vendimi i Presidentes do të mbetej në terren subjektiv”.
Cakolli tha se barra e provës bie mbi partinë e parë që duhet të dëshmojë se i ka së paku 61 vota.
“Po ashtu, nuk mund të anashkalohet e as të injorohet fakti politik dhe juridik – se gjatë konsultimeve, shumica absolute e partive parlamentare janë shprehur hapur kundër formimit të një qeverie të re në këtë legjislaturë”.
“Në këtë situatë, barra e provës bie mbi LVV-në, e cila duhet të dëshmojë në mënyrë objektive se i ka të paktën 61 vota”.






