Shefi i delegacionit të Bashkimit Evropian (BE) në Beograd, Emanuele Giaufret tha se propozimi evropian është një “mundësi historike” dhe se “prandaj është një lajm i shkëlqyer” që kryeministri i Kosovës, Albin Kurtid he presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ranë dakord që nuk ka nevojë për diskutim të mëtejshëm për propozimin e BE-së”.
“Megjithatë, suksesi vjen me zbatimin aktual të marrëveshjes”. Përfaqësuesi i lartë i BE-së theksoi pas takimit se të gjitha marrëveshjet e mëparshme nga dialogu mbeten të vlefshme dhe të detyrueshme, dhe kjo natyrisht përfshin themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe ne do të vazhdojmë të insistojmë në këtë çështje urgjente”, tha ai në një intervistë për gazetën serbe “Kurir”.
Ai tha se “duhet të shihen anët pozitive të kësaj marrëveshjeje të re”, sepse ajo mund të sjellë mundësi të reja ekonomike përmes rritjes së ndihmës financiare, bashkëpunimit të biznesit dhe investimeve të reja në Kosovë dhe Serbi.
“Do të jetë edhe një pikë kthese në procesin e integrimit të Serbisë në BE”, theksoi zyrtari evropian, transmeton Klankosova.tv.
Sipas tij, përfaqësuesi special i BE-së Miroslav Lajçak do të vazhdojë përpjekjet diplomatike në mars në Prishtinë dhe Beograd në përgatitje për takimin e ardhshëm të nivelit të lartë.