Një i vrarë dhe një i plagosur është bilanci i disa të shtënave me armë zjarri në mëngjesin e sotëm.
Ngjarja ka ndodhur në Çarshinë e Vjetër në Gjakovë.
Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës. Lumni Graishta, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, ka dhënë detaje për ngjarjen.
Ngjarja ka ndodhur në një lokal ku pronari po dyshohet se ka qëlluar në klientin e tij.
“Dyshohet që vrasja të ketë ndodhur rreth orës 05:20 në një lokal në Çarshinë e Vjetër në Gjakovë. Sipas informatave të para dyshohet se pronari i një lokali pas një mosmarrëveshje me një klient ka përdor armën e zjarrit me ç’rast një person ka mbetur i vdekur në vendngjarje (vdekjen e të cilit e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje) ndërsa një person tjetër i plagosur është dërguar në spitalin rajonal për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor”, ka thënë ai.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se i dyshuari është në arrati.
“I dyshuari (në arrati për momentin) është i njohur për policinë dhe njësitet policore janë në kërkim të tij. Në vendngjarje janë të gjitha njësitet relevante, duke kryer procedurat e nevojshme ligjore nën mbikëqyrje të afërt të kryeprokuroeit të shtetit”, tha ai.
Jozyrtarisht është raportuar se i dyshuar është pronari i një lokali të njohur në Gjakovë.
Prokuroria dhe Policia po merren intensivisht me hetimet e rastit.
Lajmin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Drin Domi.
Ai ka thënë se i dyshuari është identifikuar por ndodhet në arrati.
“Është inicuar rast për vepren penale “Vrasje e rëndë”. I dyshuari është identifikuar dhe është në arrati. Në vendin e ngjarjes ka dal Prokurori i Shtetit. Trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në IML”, ka thënë Domi.






