Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në promovimin e librit “Dëshmitar i gjenocidit të Srebrenicës”, të autorit Mevludin Hrnjiq, imam nga Bosnja & Hercegovina.
Duke kujtuar këtë plagë të hapur të Evropës, kryeministri tha se me këtë ngjarje po dëshmojmë se kujtesa është akt rezistence, dhe se fjala e shkruar, betim për të mos harruar. Ndërsa, për librin me titull “Dëshmitar i gjenocidit të Srebrenicës”, tha se është gur kujtese mbi një plagë që ende kullon, është zëri i një njeriu që mbijetoi për të treguar, për të kujtuar ata që nuk mundën. Dhe sot, ai zë po flet edhe në gjuhën shqipe, që kujtimi të marrë zemër edhe në vendin tonë.
“Z. Hrnjiq, pranoni mirënjohjen tonë më të thellë për kurajën tuaj për të shkruar këtë libër, për të sjellë zërin e Srebrenicës deri këtu, pranë nesh. Mirësevini në Kosovë, një vend që e kupton dhe e ndjen dhimbjen tuaj si të vetën. Sepse në heshtjen pas një gjenocidi, çdo fjalë që tregon të vërtetën është dritë që ndriçon kujtesën tonë kolektive”, tha kryeministri Kurti.
Në fjalën e tij, kryeministri Kurti ka kujtuar korrikun e vitit 1995, ku nën komandën e Ratko Mlladiqit, forcat serbe vranë 8372 burra dhe djem boshnjakë. Ai tha se kjo është shumë se masakër, ishte përpjekje për të zhdukur një popull, një kulturë, një frymë. Ishte gjenocid. Dhe gjenocidi në Srebrenicë është krim që i përket gjithë njerëzimit, dhimbje që nuk njeh kufij dhe përgjegjësi që nuk mund të harrohet.
Kryeministri shtoi se në Kosovë, çdo korrik, e kujtojmë Srebrenicën si plagë që flet edhe për ne, sepse sikur boshnjakët, edhe shqiptarët e Kosovës përjetuan në të njëjtën dekadë egërsinë e mizorinë e të njëjtit regjim, të njëjtën përpjekje për fshirje, të njëjtin krim që merr emrin më të rëndë që njeh historia: gjenocid.
“Duke njohur vuajtjet e popullit boshnjak, në vitin 2021, Kuvendi i Republikës sonë miratoi një rezolutë që e dënon gjenocidin në Srebrenicë, ndërkaq vitin e kaluar, në mbledhjen e 212-të Qeverisë së Kosovës, e shpallëm 11 korrikun Ditë Memoriale në përkujtim të gjenocidit të Srebrenicës. Vit pas viti, përpiqemi të mbajmë gjallë kujtimin, jo vetëm si një detyrë politike, por si një borxh njerëzor”, tha ai, duke shtuar se adresa e këtij krimi nuk mund të ndalet në Bosnje dhe Hercegovinë, ngase fillet e tij çojnë në Beograd, në zemrën e një politike shtetërore që mbolli urrejtje dhe vdekje.
Në përfundim, kryeministri tha se çdo dëshmitar si z. Hrnjiq, çdo libër si ky që kemi sot në dorë, është dëshmi që duhet respektuar dhe afirmuar, sepse kujtimi është rruga drejt drejtësisë dhe drejtësia është rruga drejt paqes së vërtetë.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
E nderuara zëvendëskryeministre e Republikës së Kosovës për Çështje të Pakicave dhe të Drejtat e Njeriut, znj. Emilija Rexhepi,
I nderuari Myfti i Kosovës, z. Naim Tërnava,
I nderuari z. Mevludin Hrnjiq, dëshmitar i masakrës së Srebrenicës,
I nderuari z. Azmir Jusufi, përkthyes në shqip i librit që promovohet sot dhe i nderuar z. Ramadan Shkodra, redaktor i këtij botimi,
I nderuari z. Rasim Demiri, deputet i Republikës së Kosovës,
I nderuari ish-ministër i Shëndetësisë, dr. Ferid Agani,
Të nderuar studiues që jeni marrë me këtë libër: z. Hysen Matoshi nga Instituti Albanologjik, z. Durim Abdullahu nga Universiteti i Prishtinës dhe z. Sylë Ukshini,
I nderuari dekan i Fakultetit të Studimeve Islame, profesor Islam Hasani,
Të nderuar profesorë dhe studentë të Fakultetit të Studimeve Islame,
Të nderuar zyrtarë të Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës,
Të nderuara zonja dhe zotërinj, motra dhe vëllezër, miq të kujtesës dhe të drejtësisë,
Sot, në zemër të Prishtinës, ne po kujtojmë një plagë të hapur të Evropës, po dëshmojmë se kujtesa është akt rezistence, dhe se fjala e shkruar është betim për të mos harruar.
Libri “Dëshmitar i gjenocidit të Srebrenicës”, i autorit dhe i të mbijetuarit Mevludin Hrnjiq, që sapo ka dalë nga shtypi dhe po sillet këtu para nesh sot, më shumë se një rrëfim personal, është gur kujtese mbi një plagë që ende kullon. Është zëri i një njeriu që mbijetoi për të treguar, për të kujtuar ata të cilët nuk mundën. Dhe sot, ai zë po flet edhe në gjuhën shqipe, që kujtimi të marrë zemër edhe në vendin tonë.
Z. Hrnjiq, pranoni mirënjohjen tonë më të thellë për kurajën tuaj për të shkruar këtë libër, për të sjellë zërin e Srebrenicës deri këtu, pranë nesh. Mirësevini në Kosovë, një vend që e kupton dhe e ndjen dhimbjen tuaj si të vetën. Sepse në heshtjen pas një gjenocidi, çdo fjalë që tregon të vërtetën është dritë e cila ndriçon kujtesën tonë kolektive.
Këtë muaj, bëhen 30 vjet nga korriku i vitit 1995, kur mbi tokën e Srebrenicës ra nata më e zezë e njerëzimit. Nën komandën e Ratko Mlladiqit, forcat serbe vranë 8372 burra dhe djem boshnjakë. Më shumë se masakër, ishte përpjekje për të zhdukur një popull, një kulturë, një frymë. Ishte gjenocid. Dhe gjenocidi në Srebrenicë është krim që i përket gjithë njerëzimit, dhimbje që nuk njeh kufij dhe përgjegjësi që nuk mund të harrohet.
Në Kosovë, çdo korrik, e kujtojmë Srebrenicën si plagë që flet edhe për ne. Sepse sikur boshnjakët, edhe shqiptarët e Kosovës përjetuan në të njëjtën dekadë egërsinë e mizorinë e të njëjtit regjim, të njëjtën përpjekje për fshirje, të njëjtin krim që merr emrin më të rëndë që njeh historia, pra gjenocid.
Pata fatin ta vizitoj Srebrenicën për herë të parë në vitin 2016. Rrëfimet që dëgjova nga nënat e mbetura pa bij, nga gratë e mbetura pa burra, ishin si britma të cilat shpojnë heshtjen e botës dhe s’mund të harrohen. Kur u bëra Kryeministër i Kosovës, e sollëm këtë kujtim edhe në institucione. Duke njohur vuajtjet e popullit boshnjak, në vitin 2021, Kuvendi i Republikës sonë miratoi një rezolutë që e dënon gjenocidin në Srebrenicë, ndërkaq vitin e kaluar, në mbledhjen e 212-të të Qeverisë së Kosovës, e shpallëm 11 korrikun Ditë Memoriale në përkujtim të gjenocidit të Srebrenicës. Vit pas viti, përpiqemi të mbajmë gjallë kujtimin, jo vetëm si një detyrë politike, por si një borxh njerëzor.
Sepse adresa e këtij krimi nuk mund të ndalet në Bosnje dhe Hercegovinë. Fillet e tij çojnë në Beograd, në zemrën e një politike shtetërore që mbolli urrejtje dhe vdekje. Radovan Karaxhiq dhe Ratko
Çdo dëshmitar si z. Hrnjiq, çdo libër si ky që kemi sot në dorë, është dëshmi që duhet respektuar dhe afirmuar. Sepse kujtimi është rruga drejt drejtësisë. Dhe drejtësia është rruga drejt paqes së vërtetë.
Ju falënderoj të gjithëve që keni kontribuar që ky zë të flasë edhe në gjuhën shqipe. Dhe ju falënderoj që jeni këtu, për të dëgjuar, për të kujtuar dhe për të besuar se e vërteta, sado e vonuar, gjithmonë ka forcën të flasë dhe të thërrasë.
Ju falemnderit për pjesëmarrjen dhe vëmendjen!