Më 26 shkurt në mesditë në rrugën “Agim Ramadani” në Prishtinë ka mbetur i vdekur 26 vjeçari SH.H. Prokuroria Themelore e Prishtinës ka kërkuar masën e paraburgimit për një muaj për shoferen Y.B pasi e njëjta dyshohet se ka shkaktuar aksidentin.
Në kërkesën e paraburgimit të Prokurorisë janë zbuluar edhe rrethanat se si ka ndodhur gjithë tragjedia në rrugën “Agim Ramadani”.
Sipas kërkesës për paraburgim e dyshuara duke drejtuar makinën në mënyrë të pakontrolluar, ka goditur shtyllën e semaforit dhe semafori pas rrëzimit e godet këmbësorin SH.H, i cili si pasojë e lëndimeve vdes në vendin e ngjarjes.
“Me të arritur përballë Ministrisë së Arsimit te semafori, e njëjta duke vazhduar në mënyrë të pakontrolluar dhe me pjesën e përparme të automjetit godet shtyllën e semaforit dhe nga goditja semafori rrezohet dhe godet këmbësorin SH.H, me çka tani të ndjerin i ka shkaktuar lëndime të renda trupore, ku si pasojë e lëndimeve, tani i ndjeri ka ndërruar jetë në vend të ngjarjes”, përshkruhet në kërkesën e publikuar nga Betimi për Drejtësi.