Në gjykimin për korrupsion ndaj ish-prokurorit Metush Biraj dhe dy të akuzuarve tjerë Shkodran Pulaj dhe Naim Osmani, të enjten është dhënë fjalë hyrëse, ku prokurorja speciale Shenaj Berisha tha se rasti në fjalë ka të bëjë më integritet të drejtësisë. Ndërkaq, mbrojtja e të akuzuarve pretendon për standarde të dyfishta në krahasim me raste tjera që heton dhe ndjek Prokuroria.
“Ky rast është një rast me peshë që ka të bëjë me integritetin e sistemit të drejtësisë, andaj kërkoj që të gjitha provat të trajtohen me seriozitet që kërkojnë dhe të vlerësohen në përputhje me standardin e një gjykimi të drejtë dhe arsyeshëm”, tha prokurorja Berisha, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjithashtu, prokurorja Berisha tha se nga provat materiale dhe personale do të dëshmohet se të akuzuarit kanë kryer veprat me të cilat po ngarkohen.
Sipas Berishës, video-incizimi përmban bisedën telefonike mes Pulajt dhe Birajt, ku ky i fundit kur ishte prokuror pranon ryshfet për tërheqje nga ndjekja penale që ishte duke u bërë ndaj Pulajt.
Gjithashtu, sipas prokurores, ka komunikime mes Pulajt dhe Osmanit, që flitet për ndikim të drejtëpërdrejtë që Biraj sa ishte prokuror të tërhiqet nga ndjekja penale.
Në anën tjetër, mbrojtësi i Pulajt, avokati Faton Fetahu tha se te rasti i Pulajt nuk ka pasur vendim të gjykatës për ekzanimin të telefonit mobli, ndërkaq në hetimet që po zhvillohen ndaj ministrit në detyrë, Faton Peci është kërkuar vendim gjykate.
“Prokuroria pse keni bërë kërkesë për Faton Pecin e jo për Shkodranin”, tha avokati Fetahu.
Avokati Fetahu tha se ekzaminimi i telefonit personal të Pulajt është bërë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, pasi që nuk ka pasur vendim gjykate dhe se si provë raporti i ekzaminimit, sipas Fetahut, duhet të shpallet provë e papranueshme.
Fetahu tha se prova kryesore në këtë gjykim është raporti i ekzaminimit telefonik të Pulajt dhe se si provë e tillë është marrë në kundërshtim me dispozitat ligjore dhe kushtetuese.
Gjithashtu, Fetahu u shpreh se një muaj e gjysmë pas urdhëresës për sekuestrim të telefonit të Pulajt, është arritur të merret telefoni nga i akuzuari, duke propozuar për këtë situatë të dëgjohet si dëshmitar L.Th.
Ai po ashtu propozoi si dëshmitar edhe Y.P., dhe S.P., që kanë qënë si dëshmitarë kur është bastisur shtëpia e Pulajt, por për këtë gjykatësi i rastit, Lutfi Shala tha se do të vendoset kur të arrihet tek faza e administrimit të provave personale.
Në anën tjetër, mbrojtësi i Birajt, avokatit Reshat Millaku gjatë fjalës hyrëse tha se është e drejtë ligjore e prokurorit të shtetit që të tërhiqet nga ndjekja penale kur ka mungesë të provave në çështje penale, ashtu siç ka bërë edhe Biraj te rasti i Pulajt sa ishte prokuror.
Tutje, avokati Millaku tha se në raportet për bastisje dhe kontrolle të shtëpisë së Pulajt, nuk është listuar si provë telefoni mobil i sekuestruar nga Policia ndaj Pulajt.
Andaj, në fund Millaku tha se gjykata do të nxjerrë aktgjykim lirues ndaj Birajt.
Dhe krejt në fund mbrojtësi i Osmanit, avokati Korab Bokshi tha se Gjykata duhet të niset me standardin e prezumimit të pafajësisë dhe se barra e provës i bie Prokurorisë.
Bokshi tha se Prokuroria me aktakuzë e ka ditur se ka efekt publik si rast, por se përfundimi i rastit do të jetë dështimi i Prokurorisë në këtë rast.
Pas dhënies së fjalës hyrëse, gjykatësi Shala njoftoi se në seancën e radhës do të vazhdohet me administrim të provave materiale.
Edhe në shqyrtim gjyqësor të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ish-prokurori Metush Biraj dhe dy të akuzuarit tjerë Shkodran Pulaj dhe Naim Osmani u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen në barrë.
Në këtë rast, ish-prokurori Metush Biraj akuzohet për “Marrje ryshfeti”, kurse Shkodran Pulaj dhe Naim Osmani ngarkohen për “Dhënie ryshfeti”, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Deklarimin rreth fajësisë, tre të akuzuarit e bënë pas leximit të aktakuzës nga prokurorja speciale Shenaj Berisha.
Gjykimi po vazhdon me fjalën hyrëse të palëve në procedurë, fillimisht nga prokurorja Berisha.
Tre të akuzuarit, edhe në seancën fillestare më 16 tetor 2024 janë deklaruar të pafajshëm për veprat penale që iu vihen në barrë.
Aktakuza ndaj ish-prokurorit Biraj dhe dy të tjerëve u ngrit më 4 mars 2024, pas hulumtimit të “Betimi për Drejtësi” publikuar më 2 dhjetor 2023 me titull “Si ish-prokurori Metush Biraj dyshohet se mori ryshfet për të dështuar aktakuzën për 130 kilogramë marihuanë”, ku prokurori Biraj dyshohej se kishte marrë ryshfet rreth 5 mijë euro, për të tërhequr kërkesën për paraburgim të të arrestuarve Naim Osmani, Ukë Sadrijaj dhe Arbër Salihu, ndërsa rreth 20 mijë euro për dështim të rastit, përkatësisht tërheqjes nga aktakuza.
Ndryshe, aktakuza për këtë çështje penale është ngritur nga Prokuroria Themelore në Gjilan – Departamenti për Krime të Rënda. Për shkak se rasti ka të bëjë me një ish-prokuror të regjionit të Prizrenit, kjo çështje për gjykim ishte dërguar në Gjykatën Themelore në Gjilan, në Departamentin për Krime të Rënda. Mirëpo, Departamenti për Krime të Rënda i Gjykatës Themelore në Gjilan ka deleguar lëndën në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, e ky i fundit kishte hapur një konflikt lidhur me kompetencën lëndore të këtij rasti.
Por, Gjykata e Apelit ka vendosur se kompetent për zgjidhjen e kësaj çështje penale është Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Sipas aktakuzës, Metush Biraj po akuzohet se në mes të muajve prill dhe korrik të vitit 2023, në Prizren, në cilësi të prokurorit të shtetit të Prokurorisë Themelore në Prizren, me dashje dhe në mënyrë të drejtpërdrejt pranon ofertën ose premtimin për dhuratë, në shumë prej 20 mijë eurove, për të vepruar në pajtim me detyrën e tij zyrtare, në atë mënyrë që gjatë përfaqësimit në Gjykatën Themelore në Prizren, më 31 mars 2023, në këmbim të premtimit heq dorë nga ndjekja penale në mungesë të provave ndaj të akuzuarve: Naim Osmani, Ukë Sadria dhe Arbër Saliu, për shkak të veprës penale ‘’Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’’, të KPRK-së.
Tutje, aktakuza thotë se Biraj këtë e ka bërë në bazë të premtimit të marrjes së të hollave siç rezulton nga lënda penale në Prizren kur arrestohet edhe tani i akuzuari Shkodran Pulaj për shkak të veprës penale ’Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” dhe sekuestrohet një telefon i tipit “Samsung A52”.
Sipas prokurorisë, gjatë ekzaminimit të këtij telefoni nga Drejtoria e Teknikës Kriminalistike në Prishtinë se ka rezultuar se prokurori Biraj ka biseduar nëpërmjet rrjeteve sociale “Viber” me të akuzuarin Pulaj si dhe i akuzuari Naim Osmani ka biseduar me Pulajn nëpërmjet rrjetit social “Whats App”, dhe nga CD dëgjohet duke komunikuar Pulaj dhe Biraj, e që nga bisedua e lartcekur kuptohet se janë premtuar të holla në këmbim të heqjes dorë nga ndjekja penale në rastin e lartcekur, e që këtë veprim Biraj e ndërmerr përkundër udhëzimeve nga ana e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prizren që të vazhdohet me ndjekjen penale.
Me këto veprime, Biraj ngarkohet se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit” nga neni 421, paragrafi 1 të KPRK-së.
Ndërsa, sipas dispozitivit të dytë të kësaj akuze, të akuzuarit Pulaj dhe Osmani akuzohen se në vend dhe kohë të përshkruar në dispozitivin e parë, të njëjtit me dashje dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë kanë premtuar dhënien e ryshfetit për personin tjetër – tani të akuzuarin e parë Biraj, me qëllim që i njëjti, në cilësinë e prokurorit të shtetit, në përfundim të shqyrtimit gjyqësor te datës 31 mars 2023, të heq dorë nga aktakuza kundër të akuzuarve Naim Osmani, Ukë Sadria dhe Arbër Saliu, për shkak të veprës të sipërshënuar penale.
Me këto veprime, Pulaj dhe Osmanaj akuzohen se kanë kryer veprën penale “Dhënia e ryshfetit’’ nga neni 422, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.
“Betimi për Drejtësi” më 2 dhjetor 2023 ka transmetuar hulumtimin se si ish-prokurori Metush Biraj dyshohet se mori ryshfet për të dështuar aktakuzën për 130 kilogramë marihuanë. Aty ishte siguruar një video-dëshmi, ku zhvillohen biseda për të ndikuar në rastin e drogës, në mes ish-prokurorit Biraj dhe të dyshuarit Shkodran Pulaj.
Bazuar në aktakuzën e plotë të ngritur nga prokurori i Prokurorisë Themelore në Gjilan, Isuf Sadiku, del të mos jetë marrë për bazë shuma e përmendur në video incizim prej 20 mijë euro.
Prokurori Sadiku ka ngritur akuzën duke u bazuar në paragrafin 1 të nenit 421 për “Marrje Ryshfeti” dhe 422 për “Dhënie Ryshfeti” të Kodit Penal të Kosovës. Këto paragrafe, një prej tyre parasheh dënim me gjobë dhe burgim nga 1 deri në 8 vjet burgim, kurse tjetri deri në 5 vjet. Derisa, paragrafët tre të këtyre dy neneve parashohin se në rastet kur kemi të bëjmë me marrjen, respektivisht dhënien e ryshfetit për shumën që tejkalon 15 mijë euro, sikurse në rastin e Birajt, atëherë dënimi shkon nga 5 deri në 15 vjet burgim për marrje ryshfeti e deri në 8 vjet burgim për dhënie të tij.
Për këtë rast, pas publikimit të hulumtimit të “Betimi për Drejtësi” kishte reaguar edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. /BetimipërDrejtësi