Prokuroria Themelore në Gjakovë, njofton opinionin publik se pas një inspektimi të kryer nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka konstatuar se në disa fshatra të Komunës së Rahovecit, është duke u degraduar ambienti për shkak të aktivitetit ilegal të nxjerrjes së zhavorrit përgjatë shtratit të lumit Drini i Bardhë.
Prokurori koordinator për hetimin e Krimeve Kundër Mjedisit, z. Kastriot Memaj, ka urdhëruar inicimin e rastit për veprën penale “Ndotja, degradimi ose shkatërrimi i mjedisit” nga neni 338 i KPRK-së. Po ashtu, është urdhëruar sekuestrimi i një kamioni transportues dhe një ekskavatori si mjete të përdorura në kryerjen e veprës penale.
Njëkohësisht, në koordinim me policinë, janë duke u ndërmarrë veprime aktive me drejtim të kapjes së kryesve të kësaj vepre penale.
Prokuroria e njofton opinionin publik se mbetet e përkushtuar maksimalisht në luftimin e dukurive të tilla të kundërligjshme që degradojnë ambientin dhe u bën thirrje qytetarëve për bashkëpunim në luftimin e këtyre dukurive.