Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka njoftuar se në bazë të kërkesës së kësaj prokurorie, më 12.12.2022, Gjykata Themelore në Prishtinë kundër të pandehurit Dejan Pantiq, ka caktuar masën e paraburgimit për veprën penale “Sulm terrorist”.
Edhe pse kundër të pandehurit ka ekzistuar vendim për caktim të paraburgimit, për shkak të rrethanave tashmë të njohura, i njëjti asnjëherë nuk u dërgua në paraburgim ashtu siç kërkohet me ligj.
Pas vizitave të ekipeve mjekësore të Eulex-it, të cilët kanë konstatuar gjendje jo të mirë shëndetësore për të pandehurin, ata kanë rekomanduar trajtim në një qendër spitalore, megjithatë as ky rekomandim nuk u realizua.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, duke u bazuar në aspektin shëndetësor dhe njëkohësisht aspektin human i ka propozuar Gjykatës Themelore në Prishtinë, zëvendësimin e masës së paraburgimit për të pandehurin Pantiq, pasiqë i njëjti ishte në pamundësi t’i gëzoj të drejtat që ju takojnë të paraburgosurve në qendrat e paraburgimit, thuhet në njoftimin e PSRK-së.