Prokuroria Speciale ka bërë me dije se Halil Geci, i njohur si “Baci Lilë”, është intervistuar nga Policia e Kosovës me autorizim të saj, ndërsa procedura penale lidhur me rastin vazhdon.
“Lidhur me çështjen për të cilën keni adresuar pyetje, ju konfirmojmë se është intervistuar nga Policia e Kosovës me autorizim të Prokurorisë Speciale. Ndërsa, procedura penale në këtë rast vazhdon”.
Ndryshe, avokati i Gecit ka reaguar duke e cilësuar këtë rast si “të paprecedent”, pasi klienti i tij është liruar pas disa orësh qëndrimi në polici. Sipas avokatit, rasti lidhet me një status të publikuar në Facebook dhe nuk ka precedent në vendet demokratike që qytetarët të përballen me hetime për postime të tilla, duke theksuar se e drejta e shprehjes së mendimit është e garantuar nga Kushtetuta e Kosovës dhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Në reagimin e tij, avokati vlerëson se Baci Lilë është një figurë publike që për dekada promovon paqen dhe tolerancën në shoqëri.






