Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje dhe deputeti, Albin Kurti, i cili po vazhdon ta mbajë edhe postin e kryeministrit të marrë nga zgjedhjet e vitit 2021, pak orë pas takimit që kishte pasur të mërkurën me presidenten Vjosa Osmani, rreth gjetjes së rrugëdaljes për bllokadën disa mujore ku gjendet Kuvendi, ka vazhduar sulmet ndaj kundërshtarëve politikë.
Në këtë gjuhë elektorale pas zgjedhore, Kurti s’ka kursyer as dy ish-udhëheqësit e PDK-së të cilët gjenden tash e pesë vite në Hagë duke u përballur me akuzat e Prokurorisë Speciale të Hagës. Sipas Kurtit, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, vazhdojnë të japin direktiva për zhvillimet politike në Kosovë përmes vizitave që zyrtarët e PDK-së zhvillojnë atje.
Lidhur me këto akuza të Kurtit për Partinë Demokratike të Kosovës kanë reaguar zyrtarë të shumtë të kësaj partie, përfshirë kryetarin Memli Krasniqi. Kanë reaguar edhe nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, të cilët kanë dënuar një deklaratë të tillë.
“Ne, OVL, SHIL dhe SHFD të UÇK-së, dënojmë me ashpërsi deklaratën e fundit të ish Kryeministrit Albin Kurti, i cili pretendon se ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, po japin “instruksione politike nga burgu në Hagë”, thuhet në reagimin e OVL-UÇK-së.
Gazeta Express ka kërkuar dhe një qëndrim të Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë lidhur me ketë pretendim të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, por zëdhënësi Christopher Bennett, ka thënë se s’kanë ndonjë gjë për të thënë.
“Zyra e Prokurorit të Specializuar s’ka koment”, ka thënë Bennett.