Foto: REL

Lajme

Prokuroria përfundoi intervistimin e dëshmitarit të pestë në rastin Thaçi dhe të tjerët

By GAZETA SCANNER 1

May 18, 2023

Zyra e Prokurorit të Specializuar(ZPS) ka përfunduar marrjen në pyetje të dëshmitarit të pestë të mbrojtur, në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Gjatë intervistimit, i cili ka filluar dje, vetëm një pjesë e dëshmisë është dëgjuar në seancë të hapur për publikun.

Dëshmitari i cili mban kodin 3165 ka folur për një rast në të cilin pretendon se disa persona me maska i kishin marrë të afërmit.

Ai ka thënë se i kishte përcjellur ata persona derisa të njëjtit, sipas tij, kishin nxjerrë nga vetura të afërmit e tij. Por, sipas dëshmitarit, babain e tij kishin vazhduar t’ia mbanin brenda.

Pas kësaj, prokurorja Deborah Mayer kërkoi që seanca të vazhdojë private.

Në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, deri tani kanë përfunduar dëshmitë e katër dëshmitarëve të prokurorisë.

Dëshmia e tyre nuk është bërë e ditur për publikun dhe të njëjtit kanë dëshmuar nën masa mbrojtëse.

Ish-krerët e UÇK-së, për të cilët prokuroria pretendon se kanë kryer krime lufte, po gjykohen pas një procedure paraprake që ka zgjatur më shumë se dy vjet.

Gjatë krejt kësaj kohe, ish-presidenti Thaçi, ish-kryeparlamentarët Krasniqi dhe Veseli, si dhe ish-deputeti Selimi, po qëndrojnë në paraburgim në Hagë, ndërsa në paraqitjet e tyre para gjykatës ata janë deklaruar të pafajshëm