0.3 C
New York
Monday, January 12, 2026

Buy now

“Prokuroria pa argumente, mbrojtja me dëshmitarë kredibil”: Epilogu i Speciales shihet pozitiv

- Advertisement -
Trupi gjykues në Gjykatën Speciale ka bërë të ditur se nga 9 deri më 18 shkurt do të jetë periudha e deklaratave përmbyllëse në rastin ndaj katër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, ku njohësit konsiderojnë se do ketë një epilog pozitiv.

Madje sipas juristëve Prokuroria as që arriti të argumentojë tezat e akuzave, si për ekzistimin e strukturës komanduese po ashtu edhe kontrollit efektiv të territorit, bazat esenciale për ekzistimin e përgjegjësisë komanduese për çka akuzohen Thaçit dhe të tjerët.

Avokati i akredituar  nga Dhomat e Specializuara të Hagës, Artan Qerkini, në një prononcim për Gazetën Metro ka deklaruar se vendimi i Gjykatës duhet të bazohet në provat e administruara dhe të jetë i arsyetuar, teksa ka ngritur sërë shqetësimesh lidhur me procedurat e Gjykatës.

Madje sipas Qerkinit nëse Dhomat e Specializuara trajtojnë me dinjitet dëshmitë e dëshmitarëve që ishin kredibil, ky proces do sjell epilog pozitiv.

“Procesi në Gjykatën Speciale është përshkuar me zvarritje të mëdha, për faktin se procedura e dorëzimit të provave është zvarritur pa nevojë, duke qenë se Prokuroria ka bërë hetime në mënyrë kontinuele, procesi i dorëzimit të provave është dashur të bëhej më i shpejtë gjë që kishte mundur të ndikonte edhe në përshpejtimin e procedurës.Sa i përket vetë procesit vërejtjet më të mëdha kanë qenë në mungesën e transparencës sepse ka pasur shumë seanca private të mbyllura, pra opinioni nuk ka pasur qasje në deklarimet e atyre dëshmitarëve që janë dëgjuar në seanca private e po ashtu paraburgimi është vazhduar në kundërshtim me Standardet e Përcaktuara nga Gjykata e Strasburgut. Sa i përket epilogut shpresojë me epilog pozitiv ngase dëshmitarët të cilët i ka sjell mbrojtja kanë qenë dëshmitar kredibil, e kredibiliteti i tyre duhet të matët me peshat dhe funksionet që ata i kanë pasur në kohën e luftës, edhe nga fakti që kanë qenë akter të drejtpërdrejtë të luftës dhe kanë pasur njohuri  të drejtpërdrejta për faktet që janë relevante për vendosjen e kësaj çështje. Çdo vendim i Gjykatës duhet të bazohet në provat e administruara dhe të jetë i arsyetuar. Ne po shpresojmë që epilogu të jetë pozitiv.”, u shpreh Qerkini për Metro.

Kurse avokati Ardian Bajraktari i ka thënë Metros se çdo vendim tjetër pos lirues dhe vendim pafajësie për çlirimtarët tanë do të ketë pasoja, jo vetëm për të kaluarën e Kosovës por edhe për të tashmen dhe të ardhmen e vendit.

Teksa u shpreh i bindur  se vendimi duhet me qenë pafajësia e çlirimtarëve, pasi sipas tij dy teza kryesore mbi të cilët ka ngritur akuzat Specialja janë të pabaza.

“Procesi gjyqësor në Dhomat e Specializuara në Hagë po shkon drejt fundit. Tashmë dihet se janë caktuar datat e paraqitjes së deklaratave përmbyllëse. Pas deklaratave të cilave, kryetari i trupit gjykues e deklaron të mbyllur çështjen gjyqësore. Sa i përket epilogut të këtij procesi, nëse ka drejtësi unë jam optimist dhe i bindur se vendimi duhet me qenë pafajësia e çlirimtarëve tanë. Prokuroria nuk ka arrirë me i argumentu tezat e akuzave, si për ekzistimin e strukturës komanduese po ashtu edhe kontrollit efektiv të territorit si dy nga bazat esenciale për ekzistimin e përgjegjësisë komanduese për çka akuzohen z. Thaçi dhe të tjerët në këtë proces të sterzgjatur. Për më tepër në funksion të argumentimit të të kundërtës së pretendimeve të prokurorisë, por edhe të së vërtetës kanë qenë edhe dëshmitarët e mbrojtjes, të cilët kanë shumë bindës dhe argumentues. Ndryshe çdo vendim tjetër pos lirues dhe vendim pafajësie për çlirimtarët tanë do të ketë pasoja, jo vetëm për të kaluarën tonë por edhe për të tashmen dhe të ardhmen tonë, kjo për faktin se katërshja e UÇK-së me këto akuza nuk ballafaqohen në kapacitete personale. Ideatorët e kësaj gjykate, Beograndi dhe Moska, çdo vendim ndryshe pos lirues, do ta përdorin si tentativë për ta njollosë dhe kriminalizua luftën tonë të pastër për liri, kjo me qellim final de-legjitimimin e intervenimit të NATO-s.”, u shpreh Bajraktari për Gazetën Metro.

Më 9 dhe 18 shkurt pritet të paraqiten fjalët përfundimtare të përfaqësuesve të prokurorisë, avokatëve mbrojtës e të të akuzuarve.

Të ngjashme

Të fundit