Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj H.S., për veprën penale “Spiunazh”.
I pandehuri H.S., akuzohet se nga nëntori i vitit 2009, e deri në momentin e arrestimit më 06.05.25, ka bashkëpunuar me Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Republikës së Serbisë e njohur si BIA.
Sipas aktakuzës, H.S., më 22.11.2015 kishte udhëtuar në Siri, duke ju bashkuar organizatës terroriste “ISIS”.Ekziston dyshimi i bazuar mirë se H.S. kishte dërguar informacione tek zyrtarët e BIA-së, në lidhje me numrin e pjesëmarrjes së shqiptarëve në “ISIS”, organizimin e tyre dhe në cilat pjesë të Sirisë operonin ata.
Ndërsa, pas kthimit në Kosovë, dhe vuajtjes së burgut për pjesëmarrje në organizata terroriste, i njëjti kishte vazhduar të takohej në Serbi me zyrtarët e BIA-së, më konkretisht me Drejtorin për Luftimin e Terrorizmit I.B., dhe të përcjell nformata tjera të rëndësishme.
Sipas aktakuzës, si shpërblim për këto informacione, zyrtarët e BIA-së e paguanin H.S deri në 700 euro në muaj.
Prokuroria Speciale i ka propozuar Gjykatës vazhdimin e masës së paraburgimit, dhe pas shqyrtimit gjyqësor, i pandehuri të shpallet fajtor për veprat penale që i vihen në barrë dhe ndaj tij të shqiptohet dënim konform ligjeve në fuqi.