Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është mbajtur fjala përfundimtare ndaj të akuzuarit Arsim Limani, i dyshuar për vrasje të rëndë në tentativë ndaj gazetarit te RTK-së, Alban Selimi.
Nga Prokuroria e shtetit kanë thënë se tashmë është vërtetuar se i akuzuari, Arsim Limani ka kryer veprën penale vrasje e rëndë në tentativë.
Prokurorja, Javorka Perlinçeviq ka propozuar Gjykatës që të akuzuarin ta shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit.
“Pas procedurës së provave, me analizimin dhe vlerësimin e provave të pranuara padyshim është vërtetuar se tash i akuzuari, Arsim Limani e ka kryer veprën penale vrasje e rënë në tentativë, dhe nga kjo prokuroria propozon gjykatës që të akuzuarin ta shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit. Dhe se me rastin e caktimit dhe lartësisë së dënimit që ta merr parasysh dëshmitarët qe kanë qenë të propozuar në procedurë dhe që kanë qenë në seancë dhe që të akuzuarit të shqiptojë dënimin adekuat”, tha ajo.
Në anën tjetër, Kujtim Kerveshi, avokati mbrojtës i gazetarit, ka thënë se me vënien e zjarrit kishte për qëllim të ndaloj në kryerjen e punës së gazetarit.
Ndërsa, i dëmtuari Alban Selimi, tha se i akuzuari është një recedivist me të kaluar kriminale dhe se gjykata nuk duhet që ta pranoj pendës e tij pasi ajo nuk është e sinqertë.
Ai tha se me këtë sulm i akuzuar ka dashur që të ju marrë jetën atij dhe familjes së tij.
Ai tha se ky sulm i ka ndryshuar jetën atij dhe familjes së tij.
“Kjo ka qenë situatë më e rrezikshme në jetën time si gazetar. Nuk do të dëshiroja që askush ta përjetoj flakën në shtëpinë e tij”, ka thënë ai para trupit gjykues.
Mbrojtësi i të akuzuarit, Fanol Krasniqi, tha se rasti është i ndikuar kryekëput nga mediat.
Ndërkaq, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Medie Bytyqi tha se shpallja e aktgjykimit do të mbahet më 15 shkurt në orën 11:30, duke shtuar se prezenca nuk është obliguar.