Prokuroria themelore në Pejë ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj rreshterit të policisë së Kosovës në Pejë, G.L., nën dyshimin se ka kryer veprat penale “Dhunim”, “Shantazh” dhe “Fotografim dhe incizim i paautorizuar”.
I dyshuari me vendim të prokurorit gjendet në ndalim për 48 orë.
“Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka bërë kërkesë për caktimin e masës se paraburgimit, ndaj te pandehurit (zyrtar policor), G.L., nën dyshimin se i njëjtit ka kryer veprat penale “Dhunimi”, “Shantazhi” dhe “Fotografimi dhe incizimet tjera të paautorizuara”. Prokurori i shtetit, pas ndalimit të dyshuarit për 48 orë, brenda afatit ligjor, ka bërë kërkesë në Gjykatën Themeloren të Pejës, përkatësisht në Departamentin e Krimeve të Rënda, për caktimin e masës se paraburgimit. Prokuroria Themelore në Pejë është duke ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore për ndriçimin e plotë të kësaj çështje penale”, thuhet në njoftim.
Në ndërkohë, Inspektorati Policor i Kosovës ka arrestuar një zyrtarë të Policisë së Kosovës me gradën rreshter, me dyshimin se rreshteri ka kryer vepër penale të dhunimit, shantazhit dhe fotografimi dhe incizimet tjera të paautorizuara.
“Bazuar në dëshmitë dhe provat e mbledhura hetuesit e IPK-së kanë arrestuar sot në orët e mbrëmjes zyrtarin policor të përfshirë në këtë rast me dyshimin se i njëjti ka kryer vepër penale dhe atë nga neni 227, 329 dhe 202 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.