Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar masën e paraburgimit ndaj kolonelit të Policisë, Nexhmi Krasniqi.
Ai bashkë me tret ë tjerë po dyshohen për veprën penale të detyrimit.
Sipas njoftimit, Krasniqi me tre të tjerët, e detyruan viktimën që një parcelë toke, ta shiste 250 mijë euro, pavarësisht se vlera e saj në treg shkonte deri në 500 mijë.
Njoftimi:
Prokuroria e Prizrenit kërkon paraburgim për katër të arrestuarit për detyrim, shmangie nga tatimi dhe armëmbajtje pa leje
Prizren, 06 Gusht 2025 – Prokuroria Themelore në Prizren, njofton opinionin publik se ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prizren, caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh, ndaj të pandehurve L.S., Xh.S., N.K., dhe R.P., për shkak të dyshimit të bazuar se të njëjtit kanë kryer veprën penale “Detyrimi”, nga neni 328 par. 2 lidhur me par. 1, po ashtu të pandehurit L.S., N.K., dhe R.P., kanë kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, neni 366, po ashtu R.P., ka kryer veprën penale “Shmangia nga tatimi” nga neni 307 par. 1 të sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Sipas kërkesës së prokurorisë, të pandehurit L.S., Xh.S., N.K., dhe R.P., gjatë muajve nëntor – dhjetor të vitit 2024 në Prizren, duke vepruar si anëtarë të grupit me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, përdorin kanosjen serioze për të detyruar të dëmtuarin E.M., të veprojë në dëm të pasurisë së tij, në atë mënyrë që pasi i dëmtuari ka pasur një pjesë të pronësisë në ngastrën kadastrale në ZK Lubizhdë, i pandehuri L.S., në vazhdimësi kontakton me të dëmtuarin, e më pas ndërhynë edhe vëllai i tij Xh.S., duke kërkuar në vazhdimësi takim lidhur me këtë ngastër, dhe pasi takohen në njërën prej pompave të derivateve në rrugën “Transiti i ri”, ku aty ishin L.S., Xh.S., N.K., dëshmitari E.E., dhe i dëmtuari, të pandehurit duke i bërë presion këtu të dëmtuarit që si pronarë i ngastrës në ZK Lubizhdë të tërhiqet nga kjo parcelë, në dobi të të pandehurit R.P., e që i dëmtuari nga frika dhe presioni, dhe me miratimin e dëshmitarit E.E., si pronarë i pjesës të kësaj ngastre vendosin të tërhiqen në dobi të R.P., i cili më pas e blenë këtë parcelë nën çmimin e tregut për 250,000 euro, e cila pronë realisht kishte vlerë prej 400.000 euro deri 500.0000 euro, e për këtë i dëmtuari së bashku me të pandehurin L.S., shkojnë në shtëpinë e të pandehurit N.K., ku i dëmtuari hynë në shtëpi dhe nga të hollat e marra prej R.P., ia jep të pandehurit N.K., shumën prej 10,000 euro të vendosura në zarf dhe me të dalë nga aty, 20,000 euro tjera ia jep L.S., në emër të tij dhe për vëllain e tij Xh.S.
Me këto veprime të lartëcekurit kanë kryer veprën penale “Detyrimi” nga neni 328 par. 2 lidhur me par. 1 të KPRK-së.
Po ashtu, të pandehurit L.S., N.K., dhe R.P., secili veç e veç kanë kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” sipas KPRK-së.
Gjithashtu, i pandehuri R.P., në muajin dhjetor të vitit 2024 në Prizren, me qëllim të që t’i shmanget, pagesës reale të tatimit, i cili obligim kërkohet me ligj, i njëjti nuk ka deklaruar në ATK qarkullimin real ekonomik të cilin e ka pasur në kuadër të blerjes së paluajtshmërisë së lartëcekur, ku si rezultat i shmanget tatimit në vlerë prej 130,000.00 euro, me ç’ rast i shkakton dëm material Administratës Tatimore të Kosovës, respektivisht buxheti i Republikës së Kosovës. Me këto veprime, i njëjti ka kryer veprën penale “Shmangia nga tatimi” sipas KPRK-së.
Prokuroria Themelore në Prizren, lidhur me këtë rast ka bërë ngrirjen e xhirollogarive në vlerë prej 126 mijë e 997 euro, ka sekuestruar të holla kesh gjatë bastisjes në vlerë prej 8 mijë e 850 euro, dhe ka ngrirë një pronë me sipërfaqe të përgjithshme prej 58,7 ari.
Po ashtu, gjatë bastisjes janë sekuestruar edhe:
Një (1) pistoletë ZORAKI 917-T ngjyre e zezë LTD Cal 9 mm së bashku me një karikator të zbrazët;
Një (1) pistoletë, poashtu Zoraki 917-T By Atakarms LTD. Cal 9mm, së bashku me një karikator me 8 fishekë 9 mm;
Pesëdhjetë (50) fishekë 9 mm Luger;
Trembëdhjetë (13) fishekë me mbishkrim PK 9×19 22;
Dy (2) pushkë ajrore dhe një (1) elektro shok;s
Gjashtë (6) telefona mobil, fletore, aktvendime, autorizime, ekstrakte, kontrata dhe dokumentacion të ndryshëm, që do të shërbejnë në cilësi të provave materiale.
Prokuroria Themelore në Prizren, vazhdon të mbetet e përkushtuar në luftën ndaj kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre që bien ndesh me ligjin.