Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka kërkuar caktimin e masës  së paraburgimit për një muaj për të pandehurit H.I., dhe B.I., si të dyshuar për vrasjen që u shkaktua të martën në sheshin e Skenderajt.

Në njoftimin e prokurorisë thuhet se të dyshuarit akuzohet për veprat penale “Vrasje e rëndë”,  si dhe  “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

“Me datë 12 shkurt 2025 në një lokal në sheshin “Adem Jashari” në Skenderaj, të pandehurit, së bashku e të vetëdijshëm për veprimet e tyre, me dashje e privojnë nga jeta tani të ndjerin I.I., ashtu që derisa viktima ishte duke pirë kafe në lokal, të pandehurit posa hyjnë në lokal i nxjerrin armët dhe shtijnë në drejtim të ndjerit I.I, dhe goditjet rezultojnë vdekjeprurëse për të ndjerin”.

“Të pandehurit, me aktvendim të prokurorit të shtetit gjenden në ndalim nga data 12 shkurt 2025”, thuhet në njoftim.

Seanca dëgjimore për  caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve pritet të mbahet pranë Gjykatës Themelore në Mitrovicë.