1.4 C
New York
Tuesday, January 13, 2026

Buy now

Prokuroria jep detaje për plagosjen e trefishtë në Deçan: Në mesin e të plagosurve dy serbë dhe një avokat shqiptar

- Advertisement -

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në një lokal në Deçan, ku si pasojë e të shtënave me armë zjarri janë plagosur tre persona. Gazeta Insajderi ka kontaktuar Prokurorinë Themelore në Pejë, e cila ka konfirmuar detajet e këtij rasti tronditës.

Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, ka konfirmuar për Insajderin se një person ka shtënë me armë zjarri në drejtim të tre personave, ndërsa situata është vënë nën kontroll falë ndërhyrjes së shpejtë të një zyrtari policor që ndodhej në vendngjarje.

Sipas konfirmimit të Prokurorisë, në mesin e të plagosurve janë dy persona të nacionalitetit serb dhe një shqiptar, i cili me profesion është avokat.

Prokurori i shtetit e ka cilësuar rastin si “vrasje e rëndë në tentativë”. I dyshuari është arrestuar menjëherë pasi u neutralizua nga një zyrtar policor, i cili në momentin e incidentit ndodhej jashtë detyrës zyrtare.

Nikçi ka bërë të ditur se të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetë dhe po marrin trajtimin e nevojshëm mjekësor.

Policia ka sekuestruar armën e zjarrit dhe disa fishekë, ndërsa njësia e krim-teknikës ka kryer ekzaminimet përkatëse në lokalin ku ndodhi ngjarja.

Sa i përket motiveve që çuan deri te ky sulm, Prokuroria ka deklaruar se hetimet janë ende në fazën fillestare dhe është herët të flitet për versione zyrtare mbi shkaqet e konfliktit.

“Një zyrtar policor, i cili ka rastisur të jetë në atë lokal, e ka neutralizuar personin e dyshuar. Më pas në vendin e ngjarjes kanë ardhur zyrtarët e Policisë së Kosovës të cilët e kanë arrestuar atë. Për fat të mirë, të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetë dhe janë duke iu nënshtruar intervenimeve të nevojshme mjekësore. Është fazë shumë e hershme për të folur për motivet e këtij rasti,” ka thënë Nikçi për Insajderin.

Me urdhër të prokurorit të shtetit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë dhe ndaj tij pritet të kërkohet masa e paraburgimit

Të ngjashme

Të fundit