Parashtresa e datës 13 mars, trajton shqetësimin se Prokuroria në rastin kundër krerëve të UÇK-së, “po vazhdon të paraqesë e dërgojë kundërligjshëm prova e materiale”, duke injoruar kështu krejtësisht faktin se çështja është mbyllur tanimë dhe rasti është në dorën e gjykatësve për verdiktin final.
Mbrojtja e ish-Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i është drejtuar me një shkresë urgjente Trupit Gjykues në Hagë. Parashtresa e datës 13 mars, trajton shqetësimin se Prokuroria në rastin kundër krerëve të UÇK-së, “po vazhdon të paraqesë e dërgojë kundërligjshëm prova e materiale”, duke injoruar kështu krejtësisht faktin se çështja është mbyllur tanimë dhe rasti është në dorën e gjykatësve për verdiktin final.
Se palët nuk kanë të drejtë të dërgojnë më prova apo parashtresa pas mbylljes së çështjes, përveç në rastet kur shqyrtohet paraburgimi, e kishte theksuar vetë Kryetari i Trupit Gjykues, Charles Smith, në seancën që shënoi fundin e rastit kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.
“Para se ta mbyll çështjen, ua rikujtoj palëve dhe pjesëmarrësve se, në përputhje me Rregullin 136, në këtë fazë nuk mund t’i paraqiten më Trupit Gjykues parashtresa apo prova të tjera, përveç në rrethana të jashtëzakonshme dhe kur tregohet një arsye e fortë për këtë. Kjo, natyrisht, nuk përfshin çështjet që duhet të rishikohen rregullisht, siç është paraburgimi”, thoshte Smith, siç edhe vërtetohet në transkriptin zyrtar të mëposhtëm.
DOKUMENT:

Avokati kroat i Thaçit, Luka Misetiç, thotë se pavarësisht ligjit e më pas edhe qartësimit nga Trupi Gjykues, “Zyra e Prokurorit të Specializuar ka vazhduar të dorëzojë prova pa treguar se ekzistojnë rrethana të jashtëzakonshme që kërkojnë një zbulim të materialeve të tilla për Panelin”.
Në një rrethanë të tillë, Misetiç ka kërkuar nga Trupi Gjykues të lëshojë një urdhër që ndalon Prokurorinë të dorëzojë prova, pasë parasysh faktet dhe ligjet në fuqi precizojnë “se një gjë e tillë s’mund të bëhet pasi çështja është mbyllur”.
Çështja kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit është mbyllur pas dëgjimit të fjalëve përfundimtare të palëve.
Seanca e fundit u mbajt më 18 shkurt, gjersa më pas Trupi Gjykues u tërhoq për të marrë verdiktin. Të vetmet kërkesa që aktualisht shqyrtohen janë ato që kanë të bëjnë me rishikimin e paraburgimit. /Demokracia/






