Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, ka njoftuar se ndaj të pandehurit me inicialet A.B., shtetas i Republikës së Shqipërisë, ka marrë Aktvendim për fillimin e hetimeve si dhe ka paraqitur, kërkesë në Gjykatën Themelore Gjakovë, për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.
Sipas kërkesës së Prokurorisë, ndër të tjera ceket se më datë 03.04.2026 rreth orës 12:30 në Gjakovë rr.”Megzon Boshnjaku”, respektivisht në parkingun e restorantit “O….”, i pandehuri pa autorizim posedon, transporton substanca apo preparate të cilat me ligj janë shpallur si narkotikë, substanca psikotrope ose analoge, me qëllim të shitjes ose shpërndarjes.
“Në atë mënyrë që pasi Policia e Kosovës, ka siguruar informacion dhe më pas ka vëzhguar të pandehurin, i cili me automjetin e tij “Ford Focus” me targa të regjistrimit……,ndalet në parkingun e lartcekur dhe pasi hetuesit kontaktojnë dhe identifikojnë të pandehurin, menjëherë në mënyrë urgjente është kryer kontrolli në automjetin e tij, ku në ulësen e pasme janë gjetur dhjetë (10) qese të mbushura me substancë narkotike të dyshuar për llojin marihuanë (një qese najloni me ngjyrë të gjelbër brenda së cilës kanë qenë paketimet si në vijim: 536 gr, 559 gr, 535 gr, 535 gr, 536 gr) si dhe (një qese letre brenda së cilës kanë qenë paketimet si në vijim: 560 gr, 534 gr, 544 gr, 538 gr, 536 gr) në peshë të përgjithshme prej 5 Kg e 413 gr, të cilat janë sekuestruara nga hetuesit policor”, thuhet në njoftim.
Prokuroria njofton se me këto veprime i pandehuri A.B., ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikeve, substancave psikotrope dhe analoge” nga neni 267 par.2 të KPRK-së.
Gjithashtu lidhur me këtë rast është sekuestruar edhe automjeti i të pandehurit i cili ka shërbyer si mjet për transportimin e substancës narkotike, si dhe dy (2) telefona.I pandehuri që nga data 3 prill 2026, me vendim të Prokurorit të Shtetit gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh për veprën penale të lartcekur.






