Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Inspektoratin Shëndetësor dhe Inspektoratin e Tregut, ka ndërmarrë sot një aksion të gjerë në Prishtinë, duke kryer kontrolle në 15 biznese që dyshohen për ofrim të kundërligjshëm të shërbimeve estetike me botoks.
Aksioni po zhvillohet në bazë të urdhrit të Gjykatës Themelore në Prishtinë për kontroll dhe sekuestrim të përkohshëm të provave, në kuadër të hetimeve për vepra penale si keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe tregtia e ndaluar.
Sipas Prokurorisë, dyshohet se këto biznese kanë ofruar shërbime me botoks në kundërshtim me Ligjin për Produkte Medicinale, pasi këto shërbime lejohen vetëm nga personel i certifikuar. Po ashtu, bazuar në të dhënat zyrtare, në Kosovë aktualisht nuk ka operator ekonomik të licencuar për importin e këtij produkti medicinal, duke e bërë atë ilegal në këto rrethana.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se do të vazhdojë me ndërmarrjen e masave ligjore për parandalimin dhe luftimin e veprimtarive të kundërligjshme, në mbrojtje të interesit publik dhe shëndetit të qytetarëve.






