Prokurori i Specializuar, Jack Smith, duke u deklaruar për masën e propozuar të dënimit nga prokuroria për Hysni Gucatin e Nasim Haradinaj, në seancën e së enjtes ka thënë se ata dëshironin të shkatërronin gjykatën.
Për Gucatin e Haradinajn, prokuroria ka kërkuar që të dënohen me nga gjashtë vite burgim dhe nga 100 euro gjobë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Prokurori i Specializuar, Jack Smith ka deklaruar se rekomandimet nuk janë bërë pa u menduar gjatë dhe pa diskutime të gjata dhe se sot do të japë justifikimin pse kërkohet një gjë e tillë dhe pse është e domosdoshme.
Ai tha se i duhet të theksojë sa e rrallë dhe unike është kjo çështje sot dhe sa e rrallë është një krim i bërë në video që nuk lë dyshim për qëllimin e të akuzuarve dhe se të akuzuarit nuk janë penduar për veprimin e tyre.
Tutje, Smith ka deklaruar se kanë provuar përtej çdo dyshimi aktakuzën e tyre për secilën pikë të akuzës dhe fajësia e të akuzuarve është provuar dhe u mbetet të vendoset cila është masa e dënimit.
“Të akuzuarit janë unik sepse nuk janë penduar dhe kanë thënë se do të bëjnë këtë krim apo një krim të ngjashëm po t’iu jepet mundësia. Është e rrallë në çdo juridiksion të keni përpara dy të akuzuar që janë fanatik për të shkuarën e tyre penale dhe e kanë qartë atë dhe besoj se do të duhej t’iu jepej një masë me dënim me burgim të madh me qëllim të mos ekzistojë asnjë shpresë që të shkatërrohet kjo gjykatë. Është unike kjo skenë kriminale”, ka thënë ai.
Smith ka thënë se faktet si në këtë rast nuk i ka parë në 27 vite si jurist dhe se qëllimi i tyre ishte të përdornin mjete penale për të arritur synimin e tyre dhe shkatërruar këtë gjykatë.
“Të akuzuarit nuk kanë kërkuar ta minojnë një procedim penal apo ta ndalojnë një dëshmitar të japë dëshmi, por të shkatërrojnë këtë gjykatë”, ka thënë ai, duke shtuar se hapur e kanë thënë se ky ka qenë qëllimi i tyre.
Ai tha se nuk mund të arrihet drejtësia nëse një dëshmitar nuk ndihet i sigurt dhe e kanë pasur të qartë këtë të akuzuarit.
“Të akuzuarit kanë dashur ta shkatërrojnë këtë gjykatë dhe kanë bërë këtë pasi janë në kundërshtim me faktin që anëtari i UÇK-së të japë llogari për krimet që kanë bërë edhe të akuzuarit do të bëjnë të pamundurën që të mohojnë drejtësinë jo një viktime, jo një grupi të viktimave, por tërë viktimave. Nuk ka precedent për këtë lloj çështje në Kosovë që të shembet një institucion i drejtësisë”, ka thënë ai.
Tutje, tha se po citon fjalët e Haradinajn që i quajti dëshmitarët në këtë gjykatë kriminelë, spiunë dhe se gjykata do të rrëzohet pasi dihet kush janë dëshmitarët dhe se do të punojnë kundër kësaj gjykate derisa të marrin frymë.
Sipas tij, Gucati i ka përkrahur deklaratat e Haradinajt çdo herë që i është dhënë rasti.
“Me këto synime kaq të qarta dhe kaq kriminale, kjo e vendos mbrojtjen e ligjit në duart e juaja gjykatës, gjykata duhet të tregojë qartësi se vepra të tilla nuk duhet të tolerohen. Duke treguar se veprime të tilla nuk do të tolerohen, nuk do të thotë thjesht një vendim fajësie por edhe të trajtohet e gjithë gama e akuzave të ngritura kundër tyre në mënyrë që ata dhe bashkëpunëtorët e tyre të mos e bëjnë këtë përsëri”, ka thënë ai.
Tutje, tha se Gucati ka thënë se nuk pendohet për veprimet e tij, kurse Haradinaj kishte thënë se është krenar nëse do të arrestohet për një gjë të tillë, si dhe se kishte thënë se edhe nëse dënohet me 300 vjet do t’i nxjerr ato.
“Të akuzuarit nuk mund ta shprehnin më qartë shkallën e armiqësisë kundër kësaj gjykate dhe çfarë hapa do të ndërmerrnin”, ka thënë ai.
Po ashtu, Smith ka deklaruar se ata nuk janë penduar as kur iu dha mundësia në këtë gjykatë.
“Veprimet e fjalët e tyre tregojnë se nuk kanë kufi në atë që duan të bëjnë. Ata thanë që qëllimi i tyre ishte të bënin publike emrat e dëshmitarëve dhe t’i terrorizonin këta njerëz dhe duke thënë se askush nuk vdiq dhe humbi jetën për shkak të jetës së tyre. Por, duke pasur parasysh veprimet e tyre mund të kishin ndodhur këto gjëra, mendoni për të gjithë ata njerëz që mund të ishin lënduar në mënyrë të rëndë dhe përhershme dhe fakti që nuk është vrarë askush nuk ka të bëjë fare më atë që bënë të akuzuarit apo për të pakësuar dëmin që bënë”, tha ai.
Sipas tij, problemi i tyre është kjo gjykatë dhe nëse duhet të lëndohen njerëz atëherë duhet të ndodh kështu.
“Kësaj radhe, ZPS mundi të veprojë shpejt dhe shumë prej organeve të shtypit nuk pranuan të bashkëpunojnë me ta. Por, pa dyshim asgjë në veprimet e të akuzuarve tregon se ka ndonjë vijë të kuqe që ata nuk e kanë shkelur, nuk e kanë kaluar. Ata kishin qëllimin të bënin gjithçka për të arritur qëllimin e tyre për të frikësuar dëshmitarët”, ka thënë Jack Smith.
Ai theksoi se provat tregojnë që këta të akuzuar nuk kanë asnjë lloj pendimi për atë që kanë bërë dhe për ata këto do të ishin dëme kolaterale për të arritur qëllimin e tyre.
Prokurori i Specializuar ka thënë se të akuzuarit bënë atë që premtuan se do të bënin dhe ajo që bënë ata ishte e parashikueshme dhe parandalueshme.
“Dëmi që do të shkaktojnë ata në të ardhmen është i parashikueshëm sepse na kanë thënë këtë se do ta bëjnë përsëri. Aktet e të akuzuarve duan të shfrytëzojnë dhe kontribuojnë në klimën e pasigurisë, e kanë ushqyer këtë frikë dhe janë përpjekur të shfrytëzojnë ata, të ndezin shkrepësen dhe presin për shkatërrimin pastaj”, tha ai.
Smith tha se ekzistenca e kësaj klime u bë e qartë nga dëshmitari i mbrojtjes, ekspertit Reid, ku ai tha se nuk ka parë klimë të frikësimit të dëshmitarëve si në Kosovë.
Tutje, ai ka thënë se për qëllimet e masës së dënimit, kjo dëshmi e Reid është e rëndësishme se rrjedhja e informacionit e shkatërron prokurorinë dhe se nxjerrja e informacionit për dëshmitarët ndikon te dëshmitarët dhe te dëshmitarët e tjerë.
“Imagjinoni që këto akte janë ndërmarrë jo vetëm kundër një dëshmitari, por dhjetëra, krimet e të akuzuarve kanë ndikuar në dëshmitarët potencial në Kosovë dhe ata e dinë shumë mirë. Të akuzuarit kërkojnë të hedhin poshtë këto fjalë, duke thënë se ai kishte folur për diçka që ka ndodhur në të kaluarën. Por, këta të akuzuar janë munduar të shfrytëzojnë këtë klimë”, tha Smith.
“Askush në Kosovë nuk beson se vënia në shënjestër, kërcënimi i dëshmitarëve që duan të japin dëshmi kundër UÇK-së është pjesë e të kaluarës. Është e dokumentuar mirë”, shtoi tutje ai.
Sipas tij, kjo është arsyeja pse gjykata është ngritur në Hagë, për shkak të klimës së frikësimit.
Prokurori Smith thotë se kur flet për masën e dënimit, gjykata duhet të mendojë jo vetëm për dënimin që duhet t’ua japë të akuzuarve, por edhe mesazhin që duhet t’ua japë të tjerëve.
“Të akuzuarit janë pjesë e një grupi të vogël në Kosovë, të cilët janë të personalisht që kjo gjykatë të dështojë, ky grup zvogëlohet nga dita në ditë ndërkohë që çështjet tona ecin përpara dhe e vërteta zbulohet. Por, do të ketë persona si të akuzuari që nuk do ç’binden nga faktet dhe kanë interes personal të vazhdojnë të shtrëngojnë këtë narrativë false nuk janë bërë krime nga UÇK. Persona si Faton Klinaku, po na vështrojnë se çfarë dënime po marrin të akuzuarit dhe pastaj të shohin çfarë hapa të marrin ata”, ka thënë ai.
Sipas tij, masa e dënimit do të shërbejë si parandalues ndaj njerëzve si Faton Klinaku.
“Kërkojmë të merrni vendim fajësie për ta, po kërkojmë jo vetëm se pse ata nuk kanë shprehur pendim, por edhe të merret një vendim i tillë sepse është parandalim për të tjerët. Por, kjo nuk është e vetmja arsye, po kërkojmë ta bëni këtë sepse faktikisht kjo është shërbimi që do t’i bëni parandalimit të tyre përpara. Përveç faktit që kjo çështje është e dallueshme nga shumë vendime të tjera në lidhje për masat e dënimit, por në këtë rast është krejt e ndryshme”, ka thënë ai.
Sipas tij, në tribunalet tjera janë dhënë dënime që nuk kanë pasur masa parandaluese dhe se kërkojnë që kjo gjykatë të veprojë më mirë dhe të mësojnë nga gabimet e tribunaleve të mëparshme dhe të jetë në përputhje me krimin e të akuzuarve.
“Ata kanë kryer krime të rënda, të përsëritura dhe ata nuk pendohen”, ka thënë Smith.
Ai tha se të akuzuarit kërkuan të frikësonin dhe hakmerreshin kundër dëshmitarëve në gjithë Kosovën dhe të ndalonin punën e këtij institucioni plotësisht.
“Nëse kanë kërkuar të shkaktojnë dëm dhe ky dëm është mjaft i gjerë dhe i madh dhe kërkojmë që dënimi që kemi propozuar ne është i përshtatshëm dhe i drejtë. Një dënim i rëndë si ai që kemi kërkuar ne nuk është e lehtë dhe e di që gjykata nuk do të jetë në pozitën që të japë dënim me burg për një qenie tjetër njerëzore që është ulur para jush këtu”, tha ai.
Smith thotë se dhënia e dënimit në një rast si ky, është zgjedhje, ashtu siç është mosdhënia e dënimit të rëndë.
“Realiteti është se dhënia e dënimit në një rast si ky është zgjedhje, një dënim i rëndë është zgjedhje e caktuar, mosdhënia e dënimit të rëndë është zgjedhje tjetër që jep mesazh atyre që dëshirojnë të ndalojnë këtë gjykatë”, ka thënë ai.
Sipas tij, forca e kësaj gjykate qëndron në atë që dëshmitarët të flasin hapur për atë që kanë kujtuar, kanë parë dhe krimet që kanë pësuar familjet e tyre.
“Ju lutem të shihni realitetin, të jepni konsideratën më të lartë dhe merrni vendimin e duhur”, ka thënë ai.
Mbrojtësi i Gucatit thotë se ai është i pafajshëm, kurse ai i Haradinajt thotë se ky i fundit është sinjalizues dhe kërkon të shpallet i pafajshëm
(Përditësuar, ora: 11:29 )- Në seancën e së enjtes, mbrojtësi i Hysni Gucatit, avokati Jonathan Elystan Rees, ka thënë se klienti i tij është i pafajshëm, kurse njëjtë sikurse ai, mbrojtësi i Nasim Haradinajt, avokati Toby Cadman, ka thënë se i mbrojturi i tij është sinjalizues dhe se kërkon të shpallet i pafajshëm.
Mbrojtësit e të akuzuarve u janë kundërpërgjigjur prokurorisë në përgjigjen që këta të fundit dhanë lidhur me deklaratat përmbyllëse të mbrojtjes, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas avokatit të Hysni Gucati, Jonathan Elystan Rees, prokuroria po zbukuron provat e tyre.
Ai ka thënë se duket sikur prokurori i specializuar do të bëjë gjërat e qarta sepse një ndër elementet që ngrenë është dashja konkrete, qëllimi konkret dhe ndërkohë mbrojtja parashtroi qëndrimin e tyre dhe bënë dallimin mes synimin konkret dhe atij eventual.
“Në fakt, e gjithë çështja e tyre mbështetet në këtë element që klienti im ka vepruar me dashje direkte dhe kërkoj që trupi gjykues ta mbajë përgjegjës ZPS-në për këtë që është boshti i çështjes e tyre. Ata duhet ta provonin çështjen e tyre sepse kanë ngritur akuzat dhe fabulën e çështjes që thonë që e kanë provuar dhe nëse e kanë provuar përtej dyshimit të arsyeshëm atëherë do të merrni vendimin. Por, nëse jo duhet ta ndërprisni gjykimin”, tha Rees.
Avokati ka deklaruar se duhet të matet çështja e prokurorisë në atë element dhe nëse ZPS nuk e dëshmon përtej dyshimit të arsyeshëm që ka dashje konkrete ,atëherë duhet të shpallet pafajësia.
“Dua t’i kujtoj trupit gjykues se suksesi apo dështimi i një procesi gjyqësor nuk matet nëse vendimi është pafajësi apo fajësi, por nga aftësia për të qenë i drejtë me të akuzuarin dhe për të respektuar dinjitetin e gjithë pjesëmarrësve. Suksesi apo dështimi matet nëse merren vendime të paanshme, mbështetur vetëm në analizën objektive të ligjit”, tha ai.
Tutje, tha se kërkon të merret vendim i drejtë dhe i pavarur dhe se klienti i tij duhet të shpallet i pafajshëm.
Kurse, avokati Toby Cadman, që mbron të akuzuarin Nasim Haradinaj, ka thënë se presin dhe janë të vetëdijshëm që gjykata do të shikojë dëshmitë në tërësinë e tyre dhe në mënyrë të drejtë dhe barabartë.
“Kemi dëgjuar nga ZPS pse disa deklarata provojnë elemente të veprës penale, ne themi se nuk është e vërtetë dhe do të shihet se kjo nuk ekziston. Analiza që do të bëjë trupi gjykues duhet të jetë e kujdesshme”, ka thënë Cadman.
Ai tha se Haradinaj në hollësi ka shpjeguar çka nënkupton kur përmend ata që kanë bërë pjesë në regjimin të gjenocidit të Millosheviqit.
“Po i bie vlera ZPS-së sepse provat e saj nuk po arrijnë atë që donin të arrinin”, ka thënë avokati Cadman.
Ai tha se prokuroria u përpoq të fliste mbi klimën e frikës, por se këtu bëhet fjalë për nxjerrje në interes të publikut dhe ishte e motivuar si duhet për të ndaluar padrejtësinë.
“I përmbahemi qëndrimit se interesi publik ishte i rëndësishëm”, deklaroi avokati.
Tutje, tha se objektivi i klientit të tij është të gjendet e vërteta.
“Diçka është e kalbur këtu, por ndryshe nga Hamleti kjo nuk është retorike. Është afër, e prekshme dhe prandaj Haradinaj ka ndërmarrë atë që ka ndërmarrë. Ai është sinjalizues, ka bërë punën e tij për të gjetur të vërtetën dhe i kërkojmë trupit gjykues të trajtoj interesin publik”, ka thënë avokati i Haradinajt.
ZPS thotë se të Hysni Gucati e Nasim Haradinaj patën dashje direkte
(Përditësuar, ora: 11:07)- Në përgjigjen e prokurorisë të dhënë ndaj deklaratave përmbyllëse të mbrojtësve të akuzuarve Hysni Gucati e Nasim Haradinaj, prokurori Mathew Howling ka thënë se të akuzuarit patën dashje direkte.
Këtë deklaratë prokurori Howling e ka thënë të enjten, në gjykimin që po zhvillohet ndaj Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt, të cilët po akuzohen për vepra penale që lidhen me pengimin e administrimit të drejtësisë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Prokurori Mathew Howling ka deklaruar se aktgjykimi i Gjykatës së Apelit të Kosovës, në të cilën është thirrur mbrojtja ka të bëjë me Kodin e Përkohshëm Penal dhe se kjo nuk ka të bëjë me rastin konkret.
Sipas tij, deklaratat përmbyllëse të mbrojtjes shumë qartë duan të zgjidhin diçka tjetër dhe jo çështjen gjyqësore.
“Provat janë pranuar, këto janë deklaratat përmbyllëse, kjo është koha për të diskutuar se çfarë kanë bërë dhe nuk kanë bërë të akuzuarit dhe që t’i përgjigjemi argumenteve të fundit që ka bërë mbrojtja kërkon t’i kthehemi fokusimit te kjo çështje konkrete. Thelbi i argumentit të mbrojtjes bazohet në një fill të vetëm dhe nëse pritet ky fill bien argumentet tjera”, tha ai.
“Ata nuk kanë thënë emra, deklaratat përmbyllëse janë plot me referenca që ata nuk kanë përmendur emra, nuk kanë kërcënuar askënd dhe duke thënë këtë kjo varet nga fakti që siç thonë ata nuk kanë përmendur emra” , ka thënë prokurori.
Tutje, ai shtoi se emrat ishin të mbrojtur dhe është gabim të përmenden dhe kritikat e të akuzuarit se prokuroria nuk ishte e aftë të mbronte dëshmitarët e saj tregon një dijeni të plotë se çka ndodh kur jepen emrat.
“Nuk pajtohemi me mbrojtjen e Haradinajt kur thotë se fjalët e tij që ZPS ka krijuar një mjedis të pasigurt ishin jo të qarta, këto fjalë që thotë ai janë fjalët që i thotë klienti i tij. Haradinaj thotë se ZPS nuk i mbrojti as dëshmitarët që u kanë dhënë mbrojtje. Me këto pohime të të akuzuarve vërtetohen se kanë kryer krimet”, ka thënë ai.
Sipas prokurorit, thelbi i kundërshtisë të argumenteve të mbrojtjes është se ata faktikisht i bënë emrat publik.
“Ata i publikuan emrat, i bënë publik, duke i lënë dokumentet të paredaktuara dhe mbrojtura për gazetarët, “persona publik”, këto i nxorën emrat për të gjithë botën për t’i parë dhe kjo nuk ishte vetëm për thënien me zë të tyre, ishte për komunikimin e këtyre emrave dhe disa prej këtyre emrave u thanë me gojë”, ka thënë prokurori.
Ai deklaroi se trupi gjykues duhet të ketë parasysh se emrat u bënë publik.
“Kjo është një pjesë që u trajtua gjatë përgjigjes së pyetjeve të gjykatësve. Këto kërcënime janë përpjekje e përbashkët e të akuzuarve dhe bashkëpunëtorëve të tyre. Çfarë tha Gucati në faqen 35, ai tha që nuk dëgjova asgjë me të cilat nuk pajtohem dhe në momentin që e tha atë, çdo deklaratë që kishte bërë zoti Haradinaj, ai e kishte parë”, ka thënë ai.
Tutje, tha se të akuzuarit kanë shpërndarë informacion konfidencial dhe kanë bërë emra publik.
“Ata thonë që identitetet e të gjithë atyre që bashkëpunuan me ZPS dhe TFHS do të bëheshin publik”, ka thënë prokurori.
Sipas prokurorit, fakti se i quajtën personat qyqarë, tradhtarë e spiunë, këto janë kërcënime serioze sidomos duke marrë parasysh veprën penale të kërcënimit.
“Diskutimi interesant i zoti Rees lidhur me aspektet linguistike. Haradinaj tha se akuza më e larta që mund t’i bësh dikujt është ta thërrasësh bashkëpunëtor”, tha tutje prokurori.
Ai tha se janë bërë shumë diskutime në deklaratat përmbyllëse për mungesën e dashjes apo qëllimit.
“Kjo varet nga kjo kundërshti themelore, gjërat që besonin ata nga koha para juridiksionit kohor të këtij gjyqi dhe gjatë gjithë kohës deri në dhënien e dëshmisë së atyre informojnë gjendjen e tyre mendore gjatë kohës kur ata i bëjnë emrat publik. Ata e bënë të qartë synimin e tyre për të penguar punën e kësaj gjykatë në mënyrë që nuk kishin menduar dy herë kur i bënë emrat publik dhe thanë se ZPS kishte gënjyer dëshmitarët kur u kishte thënë se do të mbronin sekretet e tyre”, tha prokurori.
Howling përmendi edhe se kishin thënë se gjykata do të shembet tani që dihet kush janë dëshmitarët e tyre.
“Veprimet synonin minimin e ZPS, e quajnë gjykatën një gjykatë raciste, të njëanshme që nuk e pranojnë dhe njohin dhe dëshmitarët e të cilëve i bënë publik. Thonë se ZPS i ka marrë metodat e veta nga aparati i Millosheviqit dhe do të pengojnë atë gjithë kohën. Kjo është gjendja mendore me të cilën kanë vepruar gjatë kohës përkatëse kur i bënë emrat publik”, tha prokurori.
Gjendjen e tyre mendore ai tha se e tregon edhe përsëritja që thanë që do të bënin.
Sipas prokurorit, e bënë një herë të dytë, të tretë dhe betohen në mënyrë të përsëritur se do ta bëjnë përsëri e përsëri duke iu përgjigjur urdhrave të prokurorisë, gjykatës dhe dënimeve nga 5 deri në 300 vjet siç thoshin të akuzuarit.
“Ata e dëshironin kryerjen e këtyre krimeve, me dijeninë se çka do të ndodh kur të bënin këtë dhe kjo dijeni do të ishte një aspekt i arsyeshëm i sigurisë. Çka kam shpjeguar këtu është dashje e drejtpërdrejtë sipas Kodit Penal të Kosovës”, ka thënë prokurori.
Ai pretendoi se të akuzuarit kërcënuan dhe kanosën dëshmitarët duke pasur dashjen direkte.
“Të akuzuarit e kanë shteruar çdo dyshim të arsyeshëm, ata na tregojnë çka do të ndodh nëse do të thuhen emrat”, ka deklaruar prokurori.
Po ashtu, tha se të akuzuarit janë parë shumë herë në programe televizive dhe çfarë bënin nuk ishte e ligjshme dhe kanë kërkuar këshillimin e juristit për deklaratat e tyre.
“Pjesa kryesore lidhur me gabimin e ligjit ka të bëjë me ndërgjegjësimin apo vetëdijesimin e të akuzuarve se përmendja e emrave ishte e gabuar. Emrat i kanë bërë publik, e dinin çfarë kanë bërë dhe e dinin se përmendja e emrave ishte kundër ligjit”, ka thënë ai.
Sipas tij, dëshmia e Miro Jukiq me atë që i kishin thënë dëshmitarët është e pranueshme, si dhe dëshmia e Zenka Pumper për atë çka kishte biseduar me dëshmitarët.
Ai përmendi historitë e disa nga dëshmitarëve të përmendur nga Jukiq, i cili kishte rrëfyer se një dëshmitar kishte pësuar sulm paniku dhe përfunduar në spital pasi rrjedhën dokumentet dhe u publikuan, historitë e tjera të kontaktit me dëshmitarët dhe frikën e zemërimin që kishin shprehur të njëjtit.
“Nuk ka arsye për të mos besuar atë që tha zoti Jukiq”, ka thënë prokurori.
Tutje, tha se mbrojtja dëshiron këtë çështje ta kthejë në një çështje rreth të gjitha çështjeve tjera pasi ato janë të komplikuara që kanë element të vagullt dhe pasigurie dhe kanë përgjigje të ndryshme, ndërkohë që kjo çështje ka vetëm një përgjigje.
Sot pritet të vazhdojë gjykimi ndaj Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt në Hagë
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, sot pritet të vazhdojë gjykimi ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt.
Seanca e fundit për këtë rast u mbajt më 16 mars, ku mbrojtja ka dhënë deklaratat përmbyllëse, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Hysni Gucati së bashku me Nasim Haradinaj, po akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.
“Akuzat e paraqitura në aktakuzën e konfirmuar mbështeten në dyshimin e bazuar mirë se së paku midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, z. Gucati dhe z. Haradinaj zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tre konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, si edhe përmes shpërndarjes së mëtejshme ku përfshihen deklaratat në rrjetet sociale”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara.
Gucati dhe Haradinaj ngarkohen se kanë bërë komente nënçmuese kundër dëshmitarëve të mundshëm dhe në mënyrë të përsëritur shprehen synimin e tyre për të dëmtuar punën e Dhomave të Specializuara.
“Me këto veprime, z. Gucati dhe z. Haradinaj shkelën fshehtësinë e procedurës dhe frikësuan dëshmitarë (të mundshëm) të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe si pasojë penguan punën dhe hetimet e ZPS-së”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës./ BetimipërDrejtësi