Prokuroria e Shtetit ka njoftuar se deri në mbylljen e procesit të votimit në zgjedhjet e parakohshme parlamentare nuk është ndaluar asnjë person për veprat penale kundër të drejtave të votës.
Sipas Prokurorisë, rreth 100 prokurorë dhe personel të sistemit prokurorial kanë qenë të angazhuar gjatë gjithë ditës për të siguruar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
Sipas njoftimit thuhet se gjatë ditës, janë pranuar disa informata, nga të cilat pesë raste paraqesin elemente të veprave penale.
Në Ranillug – Gjilan, cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve. E dyshuara është liruar me vendim të prokurorit.
Në Zhegër – Gjilan, pengim i procesit të votimit dhe cenimi i fshehtësisë së votimit. I dyshuari është liruar me vendim të prokurorit.
Në Prizren asgjësimi i dokumenteve të votimit. I dyshuari është liruar me vendim të prokurorit.
Në Drenas cenimi i fshehtësisë së votimit. I dyshuari është liruar me vendim të prokurorit.
Në Suharekë cenimi i fshehtësisë së votimit. I dyshuari është liruar me vendim të prokurorit.






