-4.7 C
New York
Tuesday, February 10, 2026

Buy now

Prokurori Halling: Thaçi ka qenë ndër themeluesit e UÇK-së

- Advertisement -

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë, po vazhdon dhënia e fjalës përfundimtare nga prokuroria, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Prokurori Matt Halling pretendoi se të akuzuarit kanë pasur role në Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së, të cilat ishin në gjendje të shpërndanin “qëllimin e tyre të përbashkët kriminal”.

Sipas tij, të akuzuarit krijuan mjete dhe mohuan veprat e tyre penale në përpjekje për t’i gënjyer ndërkombëtarët.

“Kemi folur tashmë për përgjegjësinë penale individuale. Kontributi i të akuzuarve duhet kuptuar përmes rolit të fortë kolektiv që kanë pasur ata si anëtarë kryesorë të shtabit të përgjithshëm. Ata gërshetuan staturat e tyre individuale dhe i përkthyen në diçka shumë të madhe. Dhe në rolet që kishin, ishin në gjendje të shpërndanin qëllimin e përbashkët kriminal, të emëronin anëtarët e NKP-së dhe mjetet përkatëse, të koordinonin përpjekjet e tyre dhe të mohonin veprat penale në mënyrë që t’i gënjenin ndërkombëtarët. Parashtrimet për qëllimet e përbashkëta janë diskutuar tashmë. Krimet që kanë kryer janë kontribute të rëndësishme të NKP-së”, pretendoi ai.

Ai ka hedhur dyshime mbi besueshmërinë e dëshmitarit të tyre, Sokol Bashota, lidhur me përfshirjen e Hashim Thaçit në Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së.

“Strukturat përmes të cilave kanë operuar, në fakt tregojnë kontrollin që ka pasur gjithsecili prej tyre. Ajo çka është thënë deri tashmë, lidhet në fakt edhe me përgjegjësinë e tyre individuale… ZPS-ja nuk ka vërtetuar përtej dyshimit të arsyeshëm se Thaçi ka qenë një prej themeluesve të UÇK-së, apo anëtar i shtabit të përgjithshëm ose shtabit qendror përpara 1998-ës. Zoti Tiger foli shkurtimisht për këtë, por argumentet e mbrojtjes së Thaçit, në fakt, nuk qëndrojnë. Mbrojtja e Thaçit keqorienton kur thotë se Azem Syla, një prej anëtarëve të NKP-së, ka qenë në pozicion të dinte kush kanë qenë anëtarët fillestarë të shtabit të përgjithshëm. Kjo, në fakt, është në mospërputhje me atë çka është thënë për Hashim Thaçin si një nga themeluesit e UÇK-së. Në provën 847, Syla flet për përbërjen e parë të shtabit të përgjithshëm të UÇK-së. Ai evidenton Thaçin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin si anëtarë themelues. Në provën 11875, Syla në fakt flet për diçka tjetër, gjegjësisht se çfarë konsideronte ai një takim themelues të UÇK-së në dhjetor të vitit 1993”, tha ai.

Sipas prokurorit Halling, Thaçi ishte i aftë të maskonte atë që po ndodhte në realitet, andaj, tha ai, as James Rubin, as Wesley Clark dhe ndërkombëtarët e tjerë nuk e dinin se çka po ndodhte në terren.

“Ajo që nuk e kuptonin James Rubin, Wesley Clark dhe ndërkombëtarët e tjerë, është se Thaçi ishte i aftë të maskonte atë që po ndodhte në realitet, dhe kjo ndikoi në botëkuptimin e tyre për të kuptuar vërtet sesi funksiononte UÇK-ja. Veçanërisht Rubin dhe Clark treguan se nuk kishin kurrfarë interesi për të kuptuar çfarë po ndodhte në realitet. Besonin se puna e tyre ishte në anën e duhur të historisë dhe nuk u përballën me atë çka po dëgjonte trupi gjykues”, shtoi ai.

Prokurori duke folur për përgjegjësinë e Hashim Thaçit në luftë, tha se ai ka kontribuar në shumë vepra penale.

Ai shtoi se kontributi i të akuzuarit në UÇK nuk ishte për qëllime politike apo neutrale, siç thotë mbrojtja.

“Hashim Thaçi ka qenë një përkrahës i drejtpërdrejtë i qëllimit të përbashkët kriminal. Këtë mund ta shihni më konkretisht për mënyrën se si ai flet për LDK-në. Një prej grupeve që shënjestronte politikat ndaj oponentëve… Ai deklaron se ata që nuk e njohin Shtabin e Përgjithshëm janë kriminelë dhe se ne nuk do t’u japim armë kriminelëve, por do të luftojmë kundër tyre. Ja ku e kemi provën kur, në një moment të tensionuar me Tahir Zemajn, Thaçi i drejtohet dhe i thotë se do të luftojë Tahir Zemajn njësoj si serbët, ty dhe njësitet e tua… Ku u ndalua delegacioni i Qirezit dhe kulminoi me deklarimin e zotëri Thaçiut, ku iu ka thënë se do t’i vrasim në Prishtinë. Të përshkruash kontributet e Thaçit si neutrale është absurde, pasi ka prova për të vërtetuar të kundërtën. Nuk është kontribut neutral të marrësh në pyetje, të kërcënosh dhe të rrahësh persona në Qirez”, shtoi ai.

Në pjesën përmbyllëse gjatë ditës së hënë u dhanë deklarata lidhur me funksionimin dhe strukturën e Shtabit të Përgjithshëm. Prokuroria kërkoi që Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi të dënohen me nga 45 vjet burgim secili apo gjithsej 180 vjet.

Të ngjashme

Të fundit