
Share:
Projektligji për Rezervat e Detyrueshme të Naftës – i hartuar nga ky pushtet, por që mbetet për shqyrtim nga legjislatura e re – parasheh lidhjen e kontratës pesë vjeçare me deponues të cilin Ministria e Industrisë, Ndëmarrësisë dhe Tregtisë parashihet ta zgjedhë duke përjashtuar procedurat e prokurimit publik. Sasia e rezervave sipas përllogaritjeve pritet të jetë më shumë se 200 milionë litra.
Kontratë pesë vjeçare ndërmjet ministrisë përgjegjëse për tregun e naftës me deponues, duke përjashtuar procedurat e prokurimit publik, parasheh Projektligji për Rezervat e Detyrueshme të Naftës.
Drafti, të cilin pushteti aktual e dërgoi në Kuvend në fund të vitit të kaluar me synimin për ta bërë ligj, parasheh krijimin e rezervave të naftës të cilat do të jenë të ndara nga ato që i parasheh ligji për rezervat shtetërore të mallrave, rezervat e huaja dhe ato të operatorëve ekonomikë.
Dokumenti saktëson që sasia e detyrueshme e rezervave duhet të mbulojë së paku 90 ditë të mesatares së importit ditor ose 61 ditë të mesatares së konsumit të brendshëm ditor – cilado që të jetë më madhe.
Megjithatë një analizë e Institutit për Politika Zhvillimore INDEP rekomandon që të përdoret vetëm një mesatare.
“Projektligji duhet të përcaktojë qartë se baza për përllogaritjen e rezervave të detyrueshme duhet të jetë 90 ditë e importeve neto mesatare ditore, siç kërkohet nga Direktiva 2009/119/EC, duke shmangur opsionin e dyfishtë me 61 ditë të konsumit të brendshëm. Të përfshihen mekanizma të rregullt inspektimi dhe të garantohet që rezervat e detyrueshme të jenë gjithmonë të qasshme dhe të menaxhueshme në çdo kohë”, thuhet në përgjigjen e Institutit për Politika Zhvillimore – INDEP.
Nëse merret për referencë viti 2024, kur u importuan 808 milionë litra naftë dhe 92 milionë litra benzinë – i bie që rezervat e detyrueshme të naftës të jenë rreth 200 milionë litra dhe ato të benzinës rreth 22 milionë litra.
Krahas dizelit e benzinës, projektligji saktëson se rezervat e detyrueshme përbëhen edhe nga karburanti për aviacion dhe vajra si lëndë djegëse.
Drafti parasheh që përveç për krijimin rezervave, buxheti i shtetit të jetë burim edhe për deponimin, mirëmbajtjen, sigurimin dhe verifikimin e cilësisë – ndërsa mbikëqyrëse të jetë ministria përgjegjëse për tregun e naftës, në këtë rast MINT.
Por, me arsyetimin që nafta është burim energjie, në analizë INDEP rekomandon që Zyra e Rregullatorit për Energji të marrë rolin e institucionit mbikëqyrës dhe rregullator.
“Roli i ZRRE-së duhet të përfshihet si një mekanizëm shtesë për të garantuar stabilitetin dhe konkurrencën në tregun e karburanteve”, thuhet në përgjigjen e Institutit për Politika Zhvillimore – INDEP.