28.3 C
New York
Sunday, May 18, 2025

Buy now

Projektin që i mbeti pezull “padrejtësisht” në Kosovë, e vazhdoi në Shqipëri: Sahatçiu reagon pas vizitës nga Macron

- Advertisement -

Ish-nënkryetarja e Prishtinës, zyrtarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Donjeta Sahatçiu ka reaguar pas vizitës së presidentit francez, Emmanuel Macron në shkollën 42 në Tiranë, të cilën e udhëheq ajo.

Në një shkrim në llogarinë e saj në Facebook, Sahatçiu ka thënë se projekti kishte mbetur pezull “padrejtësisht” në Prishtinë, por që më pas, u realizua në Tiranë.

“Në Prishtinë, një prej kapitujve më domethanës të udhëtimit dyvjeçar në qeverisje ka qenë angazhimi me gjithë zemër me e mundësu hapjen e shkollës 42 në Prishtinë – një projekt që, ndonëse mbeti pezull padrejtësisht pas dy viteve punë, gjithmonë ka qenë një vizion që e kam dashtë me e pa të realizume. Një përpjekje e nisun prej besimi – në fuqinë e edukimit, në teknologjinë si mundësi, e në çka 42 mundet me u dhanë të rinjve tanë.

Një vit ma vonë, një kthesë e papritun e fatit më çoi në Tiranë – në një kohë e vend që sot ma shumë se rastësi, po më duket si vazhdimësi. Me emocione të përzime e ndjenjë të madhe përgjegjësie, e mora përsipër me ndërtu e me udhëheqë 42 Tirana – shkollën e parë të lartë të kodimit me mësim jotradicional në rajon. Vazhdim i një misioni që e kam nisë dikur – në një kontekst të ri, në shtëpinë teme të re, por prapë për shqiptarët” – ka shkruar ajo.

Tutje, ajo ka folur edhe për vizitën e mbrëmshme nga presidenti francez, Emmanuel Macron.

“Mbrëmë pata nderin me mirëpritë dhe shoqëru Presidentin Emmanuel Macron, Kryeministrin Edi Rama dhe themeluesin e 42 në Paris, Xavier Niel në përurimin e kampusit të ri. Bashkë me studentët e parë, ekipin, bashkëpunëtorë e miq, ndamë një natë që s’harrohet lehtë. Një mision që u arrit!

Tirana u bë pjesë e familjes globale të 42-shit – 55 kampuse në botë që e sfidojnë mënyrën tradicionale të mësimit. Këtu, në zemër të qytetit, n’Piramidën ikonike. Falë përkrahjes së Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), Bashkia e Tiranës dhe Qendra Piramida, kjo shkollë është tanimë realitet.

Në vetëm tre muaj, mbi 2,000 regjistrime për 150 studentët e parë që nisin në tetor. Nji fillim që tregon shumë për nevojën e transformimit të edukimit dhe jep shpresë për mundësi të reja”.

Të ngjashme

Të fundit