Ish- Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar në lidhje me projektin e tunelit në rrugën Prizren-Tetovë.
Ai ka thënë se nenet 4 dhe 5 të kësaj marrëveshje e vendosin palën kosovare në pozitë të pafavorshme dhe vetëm si palë mbikëqyrëse, ku këto nene nuk i siguron palës kosovare rol vendimmarrës, por vetëm monitorues.
Tutje, Hoti ka thënë se mjetet për ndërtimin e këtij tuneli i paguajmë nga buxheti i Kosovës, por projektin na përzgjedh pala maqedone.
Postimi i plotë:
Anomalitë e marrëveshjes Kosovë-Maqedoni e Veriut për projektin e tunelit në rrugën Prizren-Tetovë
Qeveria e Kosovës dhe Qeveria e Maqedonisë së Veriut kanë nënshkruar marrëveshje për bashkëfinancim për “Përgatitjen e projektit të tunelit në rrugën Prizren-Tetovë”, e cila marrëveshje ka ardhur në Kuvendin e Kosovës për ratifikim.
Marrëveshja si e tillë është e natyrshme, pasi dy vendet duhet të përshtatin parametrat teknik të tunelit. Palët e bashkë-financojnë projektin e tunelit në proporcion me gjatësinë e tij në territorin përkatës.
Deri këtu marrëveshja është e pranueshme.
Por nenet 4 dhe 5 e vendosin palën kosovare në pozitë të pafavorshme dhe vetëm si palë mbikëqyrëse.
Në nenin 4 thuhet:
• Kriteret për përzgjedhjen e operatorit për përgatitjen e projektit të tunelit zhvillohen nga “Fakulteti i Ndërtimtarisë në Shkup”;
• Procedurat e prokurimit për përzgjedhjen e operatorit për përgatitjen e projektit për tunelin kryhen nga “Ndërmarrja Publike për Rrugët Shtetërore” e Maqedonisë së Veriut.
Në nenin 5 thuhet:
• Pala kosovare e transferohen buxhetin e saj në “Ndërmarrjen Publike për Rrugët Shtetërore” të Maqedonisë së Veriut;
• Pala kosovare ka rol monitorues në këtë proces.
Kështu që, sipas nenit 5 është e qartë se kjo marrëveshje NUK i siguron palës kosovare rol vendimmarrës, por vetëm monitorues.
Kriteret për përzgjedhjen e operatorit dhe procedurën e prokurimit i kryen pala, respektivisht “Fakulteti i Ndërtimtarisë në Shkup” dhe “Ndërmarrja Publike e Rrugëve Shtetërore” e Maqedonisë së Veriut.
Marrëveshja nuk i jep asnjë rol Fakultetit të Ndërtimtarisë të Universitetit të Prishtinës, apo inxhinierëve të ndërtimtarisë në Ministrinë e Infrastrukturës të Republikës së Kosovës.
Mjetet i paguajmë nga buxheti i Kosovës, por projektin na përzgjedh pala maqedone.
A është kjo qasja “sovraniste” që po e promovojnë këta mashtrues?