2.9 C
New York
Monday, November 17, 2025

Buy now

PROFIL/Ngjitja e Bedri Hamzës në krye të PDK-së, me performancë, besim dhe pëlqyeshmëri

- Advertisement -

Pretendenti kryesor për ta marrë sot udhëheqjen e PDK-së, Bedri Hamza, është figura me pëlqyeshmërinë më të madhe nga radhët e PDK-së. Madje, ai del të jetë më i pëlqyer në Kosovë edhe se Albin Kurti, i cili mund të jetë më i votuari, por shihet si shumë polarizues.

Sipas një hulumtimi me metodën omnibus në qershor të vitit 2025, Bedri Hamza me popullaritet radhitet pas Vjosa Osmanit dhe Glauk Konjufcës, i treti me radhë, por para Albin Kurtit që radhitet si i katërti.

Bedri Hamza në zgjedhjet e këtij viti, si kandidat për kryeministër nga radhët e PDK-së e kishte rritur këtë parti me rreth 4% në raport me rezultatin e vitit 2021 kur kandidat për kryeministër ishte Enver Hoxhaj.

PDK-ja me Hamzën si kandidat për kryeministër kishte fituar gjithsej 196,474 vota ose 20.95 përqind. Ndërsa, me kandidat për kryeministër Enver Hoxhajn, PDK-ja kishte fituar 148.285 vota ose 17,00 përqind.

Fitoret historike të Bedri Hamzës në Mitrovicë

Bedri Hamza është i vetmi kandidat prej vitit 2007 në Mitrovicë, që deri më tani ka fituar pa balotazh në këtë qytet, pra qysh në raundin e parë me 53.69%. Kjo fitore e tij kishte ndodhur në kohën kur Albin Kurti fitoi me 51% në zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë, pak muaj më herët.

Në zgjedhjet lokale të 17 tetorit 2021, Bedri Hamza kishte vendosur të kthehej në Mitrovicë për t’ia rikthyer këtë komunë PDK-së dhe të qeveriste vetëm një mandat. Ai kishte arritur ta rikthente në raundin e parë, duke fituar me 16 mijë e 556 vota (53.69%). Ndërsa, Agim Bahtiri, që kësaj radhe kishte garuar me siglën e Vetëvendosjes, kishte marrë 10 mijë e 654 vota (34.53%). I treti doli Armend Agolli (LDK) me 3 mijë e 636 vota (11.78%).

Nga 123 premtimet që Hamza i kishte bërë në fushatën e tij për Kryetar të Mitrovicës, që rezulton të jetë i dyti me premtime pas Përparim Ramës në kryeqytetin e Prishtinës, ai kishte arritur t’i realizonte mbi 100 prej tyre dhe realizueshmëria e tij arrin në 96% e premtimeve të përmbushura.

Bedri Hamza e kishte bërë të ditur edhe gjatë fushatës së vitit 2021 që po garonte për një mandat dhe që synonte të prodhonte një gjeneratë të re të politikanëve në Mitrovicë, gjeneratë kjo që dha rezultat edhe në këto zgjedhje.

Ndonëse mbetet e paqartë nëse do të vendoset për rivotim nga ana e Gjykatës Supreme për zgjedhjen e kryetarit në Mitrovicë, pas deponimit të fakteve nga ana e ekipit të Arian Tahirit, PDK-ja në Mitrovicë ka dalë e para me votë dhe me asamblistë edhe muajin e kaluar.

PDK-ja ka fituar 13 asamblistë dhe gjithsej 12 421 vota në Mitrovicë. Ky rezultat është më i miri që ka pasur ndonjëherë PDK-ja në këtë komunë.

Arritja e këtij rezultati, i cili është plotësisht sukses i Bedri Hamzës është pothuajse dyfish më i madh se rezultati i Vetëvendosjes. Pra, si parti në Mitrovicë, PDK ka fituar 40.24%, ndërsa Vetëvendosje 22.86% dhe diferenca mes këtyre dy partive 17.38 pikë në përqindje në të mirë të PDK-së.

Gara e Arian Tahirit dhe mundësia për rivotim

Ndonëse Bedri Hamza nuk ishte në garë, PDK-në si parti ai arriti ta nxirrte fituese të madhe në qytetin e tij. Ndërsa, kandidati për kryetar nga radhët e PDK-së, Arian Tahiri, një djalë i ri i këtij qyteti, performoi jashtëzakonisht mirë në përballje me krejt Qeverinë e Kosovës dhe gara atje ende nuk është e mbyllur, pasi dëshmitë janë kokëforta dhe gjasat janë reale që të vendoset për rivotim në Mitrovicë.

Kronologji: Rezultatet e PDK-së në Mitrovicë nga 2007 deri më sot

Në vitin 2007, PDK kishte fituar raundin e parë me 8 mijë e 599 vota (36.51%), duke lënë pas LDK-në me 5 mijë e 628 vota (23.90%) dhe AKR-në me 5 mijë e 437 vota (23.08%). Në raundin e dytë, më 8 dhjetor 2007, Bajram Rexhepi (PDK) kishte fituar me 8 mijë e 861 vota (56.04%), përballë Sadri Feratit (LDK) me 6 mijë e 950 vota (43.96%).

Në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit 2009, Avni Kastrati (PDK) kishte fituar në raundin e parë. Ai mori 11 mijë e 137 vota (39.17%). I dyti ishte Nexhmedin Spahiu (AKR), i cili grumbulloi 6 mijë e 417 vota (22.57%), ndërsa Mursel Ibrahimi (LDK), që u rendit i treti, mori 5 mijë e 556 vota (19.54%). Në balotazhin e 13 dhjetorit 2009 mes dy kandidatëve, Kastrati kishte fituar me 10 mijë e 999 vota (53.12%), kundrejt 9 mijë e 708 votave (46.88%) të Spahiut.

Ndërsa, në zgjedhjet e 3 nëntor 2013, Mitrovica bëri një ndryshim të papritur. Në raundin e parë, Avni Kastrati (PDK) kryesoi me 15 mijë e 839 vota (41.84%), përpara Agim Bahtirit (AKR) me 11 mijë e 250 (29.73%) dhe Safet Kamberit (LDK) me 6 mijë e 904 (18.24%). Balotazhi i 1 dhjetorit 2013 kishte sjellë përmbysjen zgjedhore dhe Agim Bahtiri (AKR) kishte fituar me 17 mijë e 302 vota (52.35%), kundrejt 15 mijë e 757 (47.65%) të Avni Kastratit.

Ndërkaq, në zgjedhjet lokale të 22 tetorit 2017, në raundin e parë, Valdete Idrizi e PDK-së kishte dalë e para. Ajo mori 9 mijë e 119 vota (29.45%). Ndërsa, Agim Bahtiri, që u rendit i dyti, grumbulloi 8 mijë e 393 (27.11%) e Safet Kamberi 6 mijë e 695 (21.62%). Raundi i dytë, më 19 nëntor 2017, përfundoi me fitore për Bahtirin, pasi që ai mori 16 mijë e 509 vota (57.41%), kundrejt 12 mijë e 245 (42.59%) të Idrizit.

Në zgjedhjet e vitit 2021, Bedri Hamza më pas ia ktheu PDK-së sërish qytetin e Mitrovicës.

Të ngjashme

Të fundit