Profesori universitar, Blerim Rexha ka publikuar në llogarinë e tij në facebook një letër të hapur drejtuar deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Sipas tij, duhet të rritet buxheti i Universitetit Publik të Prishtinës “Hasan Prishtina”, shkruan Insajderi.
Sipas profesorit universitar, pavarësisht se buxheti i Kosovës ka shënuar rritje, ai i UP-së ka mbetur konstant.
I njëjti edhe ka shtruar pyetje se si ka mundësi që Kosova të përparoj pa UP-në?
“Edhe pse buxheti i Kosovës ndër këto vite gati u katërfishua (që është shumë mirë) buxheti i UP-së mbeti po thuajse konstant, rreth vlerës 30 Milionë Euro! Si ka mundësi që Kosova të përparoj pa UP-në? Nga ky iluzion? Ministrja znj. Arbërie Nagavci do të thotë që e kemi rritë buxhetin total për arsim, që është po ashtu shumë mirë dhe e pritur, por pse nuk po rritet edhe buxheti i UP-së?”,ka shkruar ai në Facebook.
Letra e plotë:
Rriteni buxhetin e Universitetit të Prishtinës
Letër e hapur deputetëve të Kuvendit të Kosovës
Të nderuar deputete dhe deputetë të Kuvendit të Kosovës,
Javën që shkoi Qeveria e Kosovës ua dorëzoi propozim buxhetin për vitin 2023 që kapte shumën prej gati 3200 Milionë Euro (3.2 Miliardë Euro). Lajm shumë i mirë për krejt qytetarët e Kosovës, që për herë të parë buxheti i Kosovës kalon pragun prej 3 Miliardë.
Nëse analizohet me kujdes buxheti i Kosovës gjatë viteve 2007-2022, sipas të dhënave nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (https://mf.rks-gov.net), shihet qartë trendi rritës, siç e kam paraqitur edhe në figurën përcjellëse të këtij shkrimi. Por duke analizuar buxhetin e Universitetit të Prishtines (UP) nuk mund të thuhet që edhe UP-ja është duke e përcjell trendin rritës të buxhetit të Kosovës. Derisa në vitin 2007 buxheti i Kosovës ishte 794 Milionë, ai i UP-së ishte 25 Milionë apo e përbënte 3.17% të buxhetit total, ndërsa në vitin 2022 e shprehur në përqindje buxheti i UP-së përbën vetëm 1.14% të buxhetit të Kosovës! Edhe pse buxheti i Kosovës ndër këto vite gati u katërfishua (që është shumë mirë) buxheti i UP-së mbeti po thuajse konstant, rreth vlerës 30 Milionë Euro! Si ka mundësi që Kosova të përparoj pa UP-në? Nga ky iluzion? Ministrja znj. Arbërie Nagavci do të thotë që e kemi rritë buxhetin total për arsim, që është po ashtu shumë mirë dhe e pritur, por pse nuk po rritet edhe buxheti i UP-së?
Pse nuk mjafton buxheti aktual për UP?
Që UP të qëndroj në pozitën 3026 nga 31000 sipas webometrics, ose në pozitën 707 nga 8084 sipas Scimago, ose në pozitën 1961 nga 4096 sipas Google Schoolar nuk mjafton buxheti aktual. Me të drejtë shumica e akterëve (studentë, prindër, industria, qeveria) nuk janë të kënaqur me perfomancën e UP-së dhe kjo pakënaqësi pa buxhet (energji) shtesë vetëm sa do të përkeqësohet. Me këtë buxhet gjithmonë do të jetë ky rezultat, dhe meqenëse kërkesat ndaj universiteteve po rriten gjithandej por edhe universitetet konkurrente po shtojnë energjitë (buxhetin) e tyre për të rritur cilësinë dhe për tu renditur më mirë, me buxhet konstant situata e UP-së vetëm sa do të përkeqësohet.
Çka i duhet edhe më shumë buxhet UP-së?
Lista e aktiviteteve mund të jetë e gjatë dhe kërkon kreativitet dhe prioritet, por qe çka do të mund të bënte Rektori i ardhshëm i UP-së me buxhetin shtesë:
1. Angazhim për më shumë staf të ri – sidomos për ata të doktoruar nga top universitete. Me shumë staf do të thotë edhe përmirësim i metrikes student/profesor dhe cilësisë së punës me studentë,
2. Me shumë mbështetje për pjesëmarrje në projekte rajonale dhe ndërkombëtare,
3. Incentiva direkte për bashkë- publikime me universitete ndërkombëtare, sidomos me ato top të renditura,
4. Mbështetje më të madhe për programet e doktoratës (të cilat janë drejt shuarjes),
5. Mbështetje për organizmin e konferencave shkencore ndërkombëtare nga UP-ja,
6. Mbështetje më të madhe për profesor vizitor,
7. Përmirësim i infrastrukturës fizike në krejt UP-në. Disa salla mësimi nuk janë renovuar që nga ndërtimi.
8. Ndërtimi i infrastrukturës së re, për fakultete dhe programe të reja,
9. Shtimin e bashkëpunimit me industrinë sidomos me shumëfishimin e qendrave inovative,
10. E shumë të tjera.
Andaj, të dashur deputet nëse dëshironi që fëmijët e juaj, të jenë edhe më kompetitiv në tregun e ashpër të dijes, rriteni investimin në dije, rriteni buxhetin e Universitetit të Prishtinës, sepse siç ka thënë Benjamin Franklin: “An investment in knowledge always pays the best interest”.