Profesori i ekonomisë, Median Hashani, ka thënë se vendimi i qeverisë për rritjen e pagës minimale në 350 euro, është pothuajse 100% elektoral dhe i njëjti nuk ndryshon asgjë.
Në Rubikon të Klan Kosova, ai tha se kjo pagë minimale është dashur të jetë qysh në fillim të këtij mandati qeverisës.
“Nëse e matim pjesën e inflacionit që ka ndodhur nga viti që e ka marrë qeverisjen e deri tani, vlera prej 350 euro është rreth 218 euro në aftësi blerëse”, ka thënë Hashani.
“Edhe 170 euro sa ka qenë, ka qenë mjaft e vogël, mirëpo nuk duhet të mburremi me këtë pagë minimale, sepse nëse i marrim statistikat e vendeve të ish-Jugosllavisë, paga minimale në Slloveni është 1,245 euro, në Kroaci rreth 840 euro, e treta është Serbia 540 euro, e katërta Maqedonia e Veriut që e ka 542 euro, Mali i Zi e ka 533, Bosnja e Hercegovina bashkë me Federatën e Republika Sërpska që është 390 euro, dhe Kosova prapë është e fundit. Kjo është vetëm rritje e nivelit të pagës, por nuk e rrit mirëqenien sociale të qytetarëve të Kosovës”, deklaroi profesori Hashani.
Ai tha se ky vendim, në raport me të hyrat buxhetore që i ka realizuar qeveria, i bie që qeveria t’i humb diku rreth 28 milionë euro që në vit.
“Duke marrë për bazë, për shembull, pjesa prej 100 euro që është paguar më herët prej 8 për qind, i bie 8 euro, nëse shumëzohet me numrin që e prek sipas vendimit të qeverisë, që është mbi 150 mijë, i bie mbi 14 milionë euro në vit. Plus nga 6 euro e 80, që janë dikur 150 mijë qytetarë të cilët nuk do të paguajnë më, sepse këto nuk janë para të qeverisë, mirëpo qeveria do t’i ketë më pak në kuletën shtetërore, janë diku 28 milionë euro që do t’i ketë më pak”.