10.9 C
New York
Tuesday, November 26, 2024

Buy now

Profesori grek Armakolas: Në Greqi dominon perceptimi se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme

- Advertisement -
Njohja e shtetësisë së Kosovës nga Greqia – njëra ndër pesë shtetet mosnjohëse të Bashkimit Evropian –  sipas profesorit të Departamentit të Studimeve Ballkanike në Universitetin e Maqedonisë në Selanik, Ioannis Armakolas, do të ndodhë në një të ardhme eventuale meqë tashmë në opinionin publik, sidomos në mesin vendimmarrësve dominon perceptimi se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme.

Në përgjithësi, sipas Armakolas, çështja e pavarësisë së Kosovës është diçka për të cilën është duke u diskutuar herë pas here në institucionet shtetërore të Greqisë.

Por, që njohja formale e Kosovës nga shteti helen të ndodhë, hulumtues i lartë dhe drejtues i programit të Evropës Juglindore në Fondacionin Helen për Politika Evropiane dhe e Jashtme (ELIAMEP), argumenton se fillimisht Athina zyrtare duhet të sigurohet se do të marrë diçka në këmbim të interesave të saj kombëtare, pasi sipas tij pozicioni i ngurtë i shtetit helen në këtë çështje nuk mund të ndryshojë pa ndryshuar rrethanat politike.

“Athina mund ta këtë konsideruar të njohë Kosovën, por ky nuk duket që është rasti në këtë fazë. Dhe nëse Greqia do të vazhdonte me këtë veprim, së pari do të siguronte diçka në këmbim të interesave të saj kombëtare dhe sigurisht që do të peshonte të mirat dhe të këqijat, si dhe kohën, rrethanat më të gjera gjeopolitike dhe balancat politike brenda vendit dhe në marrëdhëniet me Qipron”, thotë Armakolas në një intervistë për Albanian Post.

Problemi në Greqi në raport me pavarësinë e Kosovës, sipas profesorit Armakolas, qëndron edhe te partitë ultra-nacionaliste dhe partitë e spektrit të majtë të cilët janë në favor të ruajtës së status quo-së në politikën ballkanike të Greqisë.

“Duhet të theksoj gjithashtu se pjesa më e madhe e opozitës në Greqi, nga partitë e djathta ekstreme deri te partitë e majtë si SYRIZA dhe komunistët duket se kanë një qëndrim mjaft pro-serb për këtë çështje dhe nuk arrijnë të kuptojnë dinamikën në Ballkan dhe më gjerë pra sigurinë evropiane. Ata do të ishin një faktor kundërshtues me të cilin do të duhej të llogaritej çdo lëvizje për të njohur Kosovën”.

Intervista e plotë e Ioannis Armakolas:

Ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias, ka realizuar vizita të shumta veçanërisht këtë vit dhe atë të kaluar në Kosovë. Vizitat e tij dhe takimet me krerët institucional nga Kosova gjerësisht u lexuan si parapërgatitje për njohje formale nga shteti grek. Sipas jush si duhen lexuar vizitat e kryediplomatit grek?

Ioannis Armakolas: Vizitat e shpeshta të ministrit të Punëve të Jashtme, Nikos Dendias, në të shumtën e rasteve janë bërë në kuadër të synimit të Greqisë për të sinjalizuar mbështetjen ndaj integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor.

Greqia gjithashtu kërkoi – pa një sukses të dukshëm – të luante rolin e një “lehtësuesi” në dialogun e vazhdueshëm Kosovë-Serbi. Kjo mund të shpjegojë në një masë të madhe edhe bisedimet e shpeshta që Dendias zhvilloi me Miroslav Lajçak, Përfaqësuesin Special të BE-së për Dialogun Beograd-Prishtinë, si dhe me Përfaqësuesin e BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell dhe me homologu kosovar, sidomos në momentet kritike të vjeshtës së kaluar.

Ministri i Jashtëm Dendias si dhe zyrtarë të tjerë grekë kanë qenë gjithashtu shumë të kujdesshëm në deklaratat e tyre publike dhe pothuajse nuk kanë lënë hapësirë për keqinterpretim të ndonjë ndryshimi të mundshëm të qëndrimit të Greqisë për çështjen e njohjes së Kosovës.

Athina mund ta këtë konsideruar të njohë Kosovën, por ky nuk duket që është rasti në këtë fazë. Dhe nëse Greqia do të vazhdonte me këtë veprim, së pari do të siguronte diçka në këmbim të interesave të saj kombëtare dhe sigurisht që do të peshonte të mirat dhe të këqijat, si dhe kohën, rrethanat më të gjera gjeopolitike dhe balancat politike brenda vendit dhe në marrëdhëniet me Qipron. Duhet të theksoj gjithashtu se pjesa më e madhe e opozitës në Greqi, nga partitë e djathta ekstreme deri te partitë e majtë si SYRIZA dhe komunistët duket se kanë një qëndrim mjaft pro-serb për këtë çështje dhe nuk arrijnë të kuptojnë dinamikën në Ballkan dhe më gjerë pra sigurinë evropiane. Pra, ata do të ishin një faktor kundërshtues me të cilin do të duhej të llogaritej çdo lëvizje për të njohur Kosovën.

Nuk kam asnjë dyshim se njohja e shtetësisë së Kosovës do të ndodhë eventualisht, pasi është një perceptim i zakonshëm në Athinë, si nga vendimmarrësit ashtu edhe nga analistët kryesorë, se pavarësia e Prishtinës është e pakthyeshme. Por tani për tani, unë personalisht nuk shoh shumë prova/dëshmi që kjo të ndodhë së shpejti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në korrik të vitit të kaluar, pas kthimit nga një vizitë zyrtare në Greqi, deklaroi se shteti helen ka bërë një “avancim në diskurs” sa i përket qasjes në lidhje me statusin e Kosovës. Sipas jush, a ishte i saktë kryeministri Kurti në konstatimin e tij?

Ioannis Armakolas: Së pari, nuk jam i sigurt nëse ishte vërtet një vizitë zyrtare në Greqi. Por, sido që të jetë, nuk mund ta di se për çfarë ka biseduar kryeministri i Kosovës me zyrtarët grekë në atë kohë. Por jam i sigurt se ai sigurisht nuk është naiv ose se nuk i ka keqinterpretuar diskutimet në Greqi.

Presidentja greke gjatë vizitës në Serbi shprehimisht deklaroi se Greqia nuk do të ndryshojë qëndrim në lidhje me pavarësinë e Kosovës, ndërsa BE-ja ka argumentuar se me normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, qasja e 5 shteteve mosnjohëse të BE-së ndaj statusit të Kosovës mund të ndryshojë. Marrëveshja u arrit. A mendoni se është koha e duhur që Greqia të ndryshojë pozicion në raport me shtetësinë e Kosovës?

Ioannis Armakolas: Së pari, po, ka pasur një marrëveshje, por definitivisht nuk është fundi i rrugës. Përkundrazi, ishte vetëm fillimi i një procesi që synonte të rivitalizonte dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Dhe siç mund të shohim nga mënyra se si bisedimet po zhvillohen aktualisht, nuk jam i sigurt nëse do të ketë një marrëveshje përfundimtare së shpejti.

Nëse më pyesni mua, mendoj se Greqia duhet ta kishte njohur Kosovën shumë kohë më parë dhe sigurisht pas vendimit të GJND-së. Në fakt, Greqia ka pasur shumë raste në të kaluarën, të cilat mund t’i kishte përdorur për të njohur pavarësinë e Kosovës. Në vend të kësaj, ajo vetëm vazhdoi politikën e saj të mbajtjes së marrëdhënieve të mira me Prishtinën, pa bërë megjithatë hapin përfundimtar.

Edhe pse nuk besoj se marrëdhëniet dypalëshe me Kosovën do të ndikohen në asnjë mënyrë nga marrëdhëniet dypalëshe midis Greqisë dhe Shqipërisë, dhe sigurisht jo nga ndonjë vend tjetër i tretë në rajon, unë gjithashtu shoh se kriza aktuale diplomatike mes Athinës dhe Tiranes nuk ndihmon, politikisht,  në përparimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të Greqisë me Kosovën.

Cilat janë arsyet më bazike se pse Greqia po refuzon të ndryshojë qëndrim në raport me shtetësinë e Kosovës?

Ioannis Armakolas: Greqia ende nuk e ka njohur Kosovën, por është angazhuar shumë me të; domethënë ka bërë gjithçka për të arritur një marrëdhënie funksionale, por nuk ka ecur përpara me njohjen.

Çështja e Kosovës gjithmonë është vlerësuar me kujdes nga Ministria e Jashtme. Ata gjithmonë po peshojnë kohën dhe nëse kjo njohje do të thoshte ndonjë gjë për interesat kombëtare të Greqisë në rajon dhe më gjerë. Dhe pyetja ka qenë gjithmonë se sa ‘kapital politik’ Greqia është e gatshme të shpenzojë për të ndryshuar pozicionin e saj tradicional. Inercia është gjithashtu në lojë këtu. Nuk është e lehtë të ndryshoni pozicionin tuaj nëse rrethanat nuk kanë ndryshuar ndjeshëm dhe nëse nuk ka kosto të menjëhershme. Dhe duhet të theksoj se duke u angazhuar gjerësisht me Kosovën, Greqia ka arritur të shmangë presionin e madh nga partnerët si SHBA-ja dhe BE-ja. Ne po bëjmë çmos që të jemi miq me Kosovën, ndryshe nga vendet e tjera të BE-së që nuk e njohin, si Spanja për shembull. Pra, në njëfarë kuptimi ne jemi disi të mbrojtur nga presioni i jashtëm.

Së fundi, duhet të kemi parasysh se, siç nënkuptova më lart, fuqitë e konservatorizmit në Greqi – qoftë nga e djathta apo e majta e spektrit politik – janë në favor të ruajtjes së status quo-së në politikën tonë ballkanike. Dhe ata janë të gatshëm të përfshijnë çdo përparim të madh në marrëdhëniet me Kosovën në agjendën e tyre opozitare. Në përgjithësi, njohja e Kosovës është diçka për të cilën është duke e diskutuar herë pas here në institucionet politike, por realisht nuk shoh ndonjë synim të të njëjtit institucion që të vazhdojë me një lëvizje të tillë shumë shpejt.

Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës kaloi fazën e parë pasi Komiteti Ministror ia përcjelli Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës kërkesën për anëtarësim të Kosovës në këtë organizëm ndërkombëtarë. Greqia në votim abstenoi, Ish-ministri i Jashtëm i Greqisë, George Katrougalos, një ditë pas vendimit deklaroi se Greqia duhej të votonte kundër anëtarësimit të Kosovës në KiE, si e lexoni ju votën e Greqisë në Këshillin e Evropës për anëtarësimin e Kosovës?

Ioannis Armakolas: Disa analistë e interpretuan këtë si një paralajmërues të mundshëm të një ndryshimi të politikës greke, që mund të çojë në njohjen e pavarësisë së Kosovës. Unë do të këshilloja të mos hidheni në përfundime kaq të lehta. Siç e kam treguar në kapitullin tim të një vëllimi të redaktuar që botuam me kolegun britanik, James Ker – Lindsay (Politika e njohjes dhe angazhimit, nga Pelgrave, 2020) Athina në disa raste në të kaluarën ka ndjekur një rrugë të mesme politike kur është fjala për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare; një politikë që nuk ishte e padobishme për aspiratat ndërkombëtare të Prishtinës. Përmes kësaj politike Greqia u përpoq të diferencohej nga qëndrimet më të ashpra kundër pavarësisë së Kosovës të mosnjohësve të tjerë të BE-së, si Spanja apo Qiproja. Për shembull, qeveria e udhëhequr nga SYRIZA në vitin 2015 gjithashtu abstenoi nga votimi për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, dhe madje edhe më herët në vitin 2012 Athina votoi në favor të anëtarësimit të Kosovës në BERZH. Greqia gjithashtu ka mbështetur anëtarësimin e Kosovës në Komisionin e Venecias të Këshillit të Evropës. Për më tepër, Greqia e ndihmoi Prishtinën të siguronte kuorumin e nevojshëm për t’u anëtarësuar në mënyrë të suksesshëm në FMN dhe Bankën Botërore. Pra, dukshëm qëndrimi i Greqisë në votimin e fundit të Këshillit të Evropës nuk është asgjë e re, pavarësisht nga buja e shkaktuar nga deklaratat e ashpra anti-greke të politikanëve serbë. Në të njëjtën mënyrë, megjithatë, ne nuk duhet ta interpretojmë abstenimin e Greqisë në procesin e votimit si dëshmi se Athina po shkon drejt njohjes së Kosovës. Në vend të kësaj, ajo do të vazhdojë të mbajë marrëdhënie të mira, por do të përmbahet – për momentin – nga ndërmarrja e hapit përfundimtar për njohjen e Kosovës.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit