Profesori i Qendrës për Gjeopolitikë të Universitetit të Kembrixhit, Timothy Less, ka thënë se “askush në Britani e Madhe nuk ka reaguar” ndaj deklaratave të deputete Alicia Kearns.
Në një prononcim për “Kosovo-Online”, ai citohet të ketë thënë se komentet e saj nuk janë “diçka për t’u mërzitur”, derisa sipas tij, deputetja ka “një histori të të bërit komente të pasakta për Ballkanin”.
“Nuk i shoh komentet si diçka për t’u merzitur. KFOR-i konfirmoi që pretendimet e saj janë të pabazuara dhe askush në Britani nuk reagoi ndaj deklaratës së saj. Deputetja ka një histori të të bërit komente të pasakta për Ballkanin për shkak të kuptimit të limituar të saj për rajonin, dhe ky është shembulli i fundit.” – citohet të ketë thënë ai.
Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti para gazetarëve, ka thënë se sot do të takohet me përfaqësues të NATO-s në lidhje me këtë çështje.
“Tash i kemi këto informacione se veturat e autoambulancave janë përdorë për të bartur armatim. Unë sot do ta kem një takim me përfaqësues të NATO-s për këtë gjë.” – ka thënë ai.
Në fund, Kurti bëri të ditur se brenda kësaj jave duhet të dihet kjo çështje.
Tash jemi duke grumbulluar të dhënat, dhe nuk është të japim informacion për informacionin e paplotësuar, por brenda kësaj jave duhet të dihet kjo çështje.
Ndërkohë, një informacion i tillë, fillimisht u dha nga deputetja britanika, Alicia Kearns.
“…Qeveria është e vetëdijshme, me Fusilierët që sapo janë kthyer nga shërbimi në KFOR, se ka armë që kontrabandohen përmes kufirit nga Serbia në kishat ortodokse me ambulanca. Kur trupat tona bëhen të vetëdijshme për këtë dhe përpiqen të marrin leje për të shkuar dhe për t’i marrë ato, lejet zgjasin shumë. Deri në momentin që ka leje – çuditërisht – një ambulancë është paraqitur në kishë dhe ka nxjerrë përsëri të gjitha armët.” – tha ajo.