Alon Ben-Meir, profesor dhe njohës i politikës ballkanike, nëpërmjet një postimi në platformën “X” të dielën, ka konsideruar se ambicia e Kosovës për t’u anëtarësuar në Këshill të Evropës, por pa e themeluar Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, duket e pamundur aktualisht, duke shtuar se kryeministri kosovar, Albin Kurti, në thelb e ka humbur kredibilitetin.
“Në këtë moment, perspektiva që Kosova të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës, pa u pajtuar fillimisht për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, praktikisht nuk ekziston. Gjermania, Franca dhe Italia e bënë të qartë shumë javë më parë se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës duhet të paraprihet nga zbatimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”.
Autoritetet e Kosovës aplikuan për t’u anëtarësuar në Këshill të Evropës në 2022. Megjithatë, vendi i vogël ballkanik mbetet në vendndalim për shkak të zhvillimeve politike. Kërkesa e Kosovës nuk u mor parasysh muajin e kaluar, kryesisht për shkak se Gjermania, Franca e Italia, kushtëzuan Kosovën të bëjë hapa konkretë drejt Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës nuk mund ta shqyrtojë draft-statutin për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe derisa ta dekretojë Qeveria e Kosovës, ndonëse bashkësia e organizuar ndërkombëtare e konsideron “hap të parë” drejt garantimit të një niveli adekuat të vetëmenaxhimit për komunitetin serb që përbën shumicën në pjesën veriore të Kosovës.
“Përpjekja e kryeministrit Kurti për ta rrotulluar këtë, pra duke kërkuar që Kosova të bëhet fillimisht anëtare e Këshillit të Evropës, deri në vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, thejsht u refuzua sepse të tre shtetet nuk besonin apo prisnin që Gjykata Kushtetuese domosdoshmërisht ta miratonte Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe”, ka shtuar Ben-Meir.
“Kurti, për më tepër, në thelb e ka humbur kredibilitetin në Këshillin e Evropës dhe Këshilli i Evropës nuk pritet që shqyrtimin e pranimit të Kosovës në këtë organizatë ta vendosë në agjendën e Komitetit të Ministrave”.
Kosova u mbështet nga shumica e deputetëve në Asamblenë Parlamentare për të kaluar fazën e parafundit drejt anëtarësimit në panteonin e kombeve të barabarta evropiane. Megjithatë, rruga e Kosovës devoji krejt në fund, kryesisht për shkak të kushtëzimit franko-gjerman, duke bërë që anëtarësimi në këtë organizatë të rëndësishme evropiane të shtyhet për të paktën një vit.