Profesori amerikan, Alon Ben Meir, ka thënë se bllokada politike që po ndodh tash e sa muaj është një “uzurpim” i rrezikshëm i demokracisë.
Ai në faqen e tij zyrtare, shkruan se është shumë e vështirë ta mendosh që një vend i vogël si Kosova që vazhdon të përballet me probleme ekonomike dhe në konflikt konstant me fqinjët, është tash e disa muaj duke funksionuar me qeveri në detyrë.
Ben Meir ka thënë se lideri i LVV-së, Albin Kurti, duhet t’i japë fund një bllokade të tillë politike, meqë sipas profesorit amerikan, kjo nuk do t’i përkthehet mirë në zgjedhjet e reja kurdo që të mbahen.
“Është e vështirë të imagjinohet se si një vend i vogël që po përjeton vështirësi të mëdha ekonomike dhe ndodhet në konflikt të vazhdueshëm me fqinjët e tij, është ende nën një qeveri kujdestare katër muaj pas zgjedhjeve kombëtare. Kryeministri Kurti duhet t’i japë fund bllokadës, pasi kjo situatë nuk flet mirë për të në momentin kur, pashmangshëm, do të mbahen zgjedhje të reja”, ka shkruar Ben Meir.
Kur flet për zgjidhjet e mundshme, profesori amerikan Ben Meir thotë se propozimi i kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku, për qeveri të unitetit, duhet të merret shumë seriozisht.
“Për më tepër, propozimi i liderit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për një qeveri uniteti kombëtar të udhëhequr nga një figurë politikisht neutrale – ku liderët e partive përjashtohen nga rolet ekzekutive dhe ministritë drejtohen nga profesionistë të të gjitha partive – duhet të merret seriozisht në konsideratë dhe të caktohet një datë e re për zgjedhjet. Kjo qeveri kalimtare do të fokusohej në rikthimin e funksionalitetit institucional dhe në zbatimin e reformave urgjente deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja”, ka shtuar tutje. ai.