Madje, Kupchan ka përdorur një togëfjalësh interesant, duke vlerësuar se Kurti poi a tregon muskujt dhe po ngritet kundër Uashingtonit.
“Ngritja kundër Uashingtonit, shfaqja e muskujve dhe tregimi i një far autonomie duket se i ndihmojnë Kurtit për të fituar popullaritet. Unë e shoh këtë si një lojë dritëshkurtër. Mund të jetë politikisht e dobishme në afat të shkurtër, por është e rrezikshme në afat të gjatë” – tha Kupchan.
Në analizën e tij, profesori amerikan ka përmendur edhe parehatinë e Uashingtonit dhe “aleatëve të Uashingtonit në Evropë” me kthesën konfrontuese të Kurtit në marrëdhëniet me Serbinë. Madje, Kupchan sqaroi se piktura e madhe ka ndryshuar, pasi tash ka “më shumë kritika drejtuar Prishtinës sesa ndaj Beogradit”.
“Uashingtoni dhe partnerët e Uashingtonit në Evropë nuk ndihen rehat me kthesën më konfrontuese që ka marrë kryeministri Kurti kur bëhet fjalë për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ka qenë një periudhë e gjatë kur Serbia është parë si problem, kur Serbia e ka penguar përmirësimin e marrëdhënieve ekonomike dhe politike, por Kurti e ka ndryshuar këtë. Tani kemi më shumë kritika të drejtuara ndaj Prishtinës sesa ndaj Beogradit” – ka thënë tutje Kupchan.
Në intervistën për REL-in, Kupchan pretendoi se Kurti po luan me kartën e nacionalizmit, që “pothuajse në çdo vend tjetër të botës…funksionon mirë”. Hapat e Kurtit në veri, sipas Kupchanit, nuk duken të zgjuara “nëse merret parasysh qëllim final”.
“Duke parë pothuajse në çdo vend tjetër të botës se nacionalizmi funksionon mirë. Kurti mbyll institucione paralele serbe, instalon kryetarë shqiptarë në komuna me shumicë serbe, ndryshon rregullat e kartave të indentitetit apo të targave të makinave. Si shtet sovran, Kosova ka plotësisht të drejtë t’i bëjë këto gjëra, por mua nuk më duken hapa të zgjuar, nëse merret parasysh qëllimi final, qështë normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë dhe hapja e rrugës për integrimin e plotë të Kosovës në institucionet atlantike” – ka theksuar Kupchan.
Megjithatë, Kupchan i ka lënë një derë të hapur optimizmit. Kupchan theksoi se pas zgjedhjeve të ardhshme në Kosovë, që do të mbahen me 9 shkurt të vitit 2025, Kurti mund të përqafojë një pozicion më bashkëpunues dhe më pak konfrontues.
“Mund të ndodh që pas zgjedhjeve Kurti, duke supozuar se do të rizgjidhet, të ketë një qasje tjetër, sepse zgjedhje do të jenë pas tij dhe për të do të bëhet më e lehtë të përqafojë një pozicion më bashkëpunues dhe më pak konfrontues” – tha Kupchan për REL-in.