20.8 C
New York
Monday, May 19, 2025

Buy now

Produkte me histori jete dhe qëndrese: Hapet Panairi i grave të mbijetuara të dhunës seksuale gjatë luftës

- Advertisement -

Në Prishtinë është hapur panairi “Produkte me histori jete dhe qëndrese”, një ngjarje që tejkalon formatin tradicional të ekspozitave artizanale, raporton Ekonomia Online.

Panairi, i organizuar nga Medica Gjakova në kuadër të projektit “Fuqizohu dhe përmirëso jetën tënde”, sjell në qendër të vëmendjes fuqizimin social dhe ekonomik të grave që kanë përjetuar dhunë seksuale gjatë luftës dhe dhunë me bazë gjinore.

Drejtoresha Ekzekutive e Medica Gjakova, Mirlinda Sada, tha se kjo ngjarje është dëshmi se shpresa, guximi dhe puna e palodhshme mund të kthehen në mjete për shërim dhe zhvillim personal.

“Ne jemi mbledhur këtu jo thjesht për të hapur një panair por një hapësirë shprese dhe vend takimi, dinjiteti dhe guximi. Në këtë panair prezantohet puna e grave të mbijetuara të dhunës seksuale dhe të dhunës në bazë gjinore gjatë luftës në Kosovë. Gratë që nuk janë dorëzuar por kanë zgjedhur të ndërtojnë jetën nga fillimi me duart e tyre. Ky panair është pjesë e një rruge që do të vazhdojë në shtatë qytete të Kosovës. Me këtë nismë po e çojmë mesazhin tonë të fuqizimit social dhe ekonomik, që të gravë në gjithë vendin. Produktet që po i shihni sot janë të krijuara me përkushtim, mjeshtëri dhe forcë. Gratë pjesëmarrëse janë zemra e këtij panairi, me çdo produkt, në çdo ngjyrë dhe detaj ju tregojnë se jeta vazhdon dhe jo vetëm kaq: por mund të gëzohet përsëri”, tha ajo.

Në përkrahje të grave dhe të misionit të këtij panairi ishte edhe ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila i ftoi gratë të mos kenë frikë të kërkojnë të drejtat e tyre dhe të punojnë për një të ardhme të përbashkët, pa përjashtime.

“Sot jemi mbledhur këtu jo vetëm për të parë e përkrahur punën tuaj, por edhe për t’i dhënë zë e jehonë fuqizimit tuaj. Për të nderuar forcën dhe guximin që ju të dashura mike paraqisni. Të qenurit grua shpesh do të thotë të jesh e lehtë e qasshme ndaj sfidave, ndonjëherë na duket sikurse universi punon vetëm në këtë drejtim. Por duke harruar se forca e gruas është forca e vetë universit, është dashuria, është kujdesi. Mos dorëzimi dhe këmbëngulja jonë, ajo që i jep jetë gjithçkaje. Ne të dashura gra jemi fituese edhe ndaj vetë universit. Andaj të mos kemi frikë për të kërkuar të drejtat tona, të punojmë drejt dhe pa përjashtime. Të punojmë për njëra-tjetrën, për të ardhmen tonë të përbashkët”, tha ajo.

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, theksoi rëndësinë jetike të pavarësisë ekonomike për gratë, sidomos ato që kanë përjetuar dhunë gjatë luftës.

“Pavarësia ekonomike e vajzave dhe grave në Kosovë është jashtëzakonisht e rëndësishme. Kur jemi këtu, sidomos të atyre vajzave dhe grave që në periudhat më të rënda të historisë sonë të luftës, kanë vuajtur shumë për shkak të dhunës seksuale gjatë luftës. Për shkak të këtij krimi të madh të luftës. Prandaj unë falënderoj të gjitha organizatat, përfshirë këtu edhe Medica Gjakovën, që pavarësisht që në të kaluarën institucionet nuk i kishin mendjet te krimet e luftës, ishin pikërisht organizatat e shoqërisë civile, ishte pikërisht Medica Gjakova dhe të tjerat që hapën dyert për viktimat e krimeve të luftës. Që hapën dyert dhe që i ndihmuan këtyre grave që të fuqizohen, jo vetëm në aspektin e pavarësisë ekonomike por edhe të rehabilitohen për shkak të periudhave të vështira dhe sfidave që i kanë pasur gjatë jetës”, tha ajo.

Të ngjashme

Të fundit