Producentja e “American Idol”, Robin Kaye dhe bashkëshorti i saj Thomas Deluca u gjetën të vdekur në shtëpinë e tyre në lagjen Encino të Los Anxhelosit.
Policia ka arrestuar 22-vjeçarin Raymond Boodarian, i cili dyshohet për një vrasje të dyfishtë, raporton NBC News.
Policia u thirr për të kontrolluar banorët e një adrese në White Oak Avenue të hënën në mëngjes. Kur mbërritën oficerët, trupat e 70-vjeçares Kaye dhe bashkëshortit të saj, Deluce, u gjetën brenda shtëpisë.
Të dy u shpallën të vdekur në vendngjarje. Sipas raportit, ata u gjetën në dhoma të ndara dhe të dy kishin plagë të shumta me armë zjarri. Hetuesit më vonë zbuluan se oficerët ishin thirrur në të njëjtën adresë më 10 korrik për një vjedhje të mundshme.
Ata nuk mundën të hynin atëherë sepse shtëpia ishte “e siguruar mirë” dhe një inspektim ajror nuk tregoi asgjë të dyshimtë në atë kohë. Megjithatë, kur shqyrtuan pamjet e kamerave të sigurisë, panë se i dyshuari kishte kapërcyer gardhin dhe kishte hyrë në pronë. Edhe pse nuk kishte shenja të një vjedhjeje me thyerje, hetimi tregoi se ai ndoshta kishte hyrë përmes një dere të pambyllur.
Policia beson se Kaye dhe Deluca u kthyen në shtëpi ndërsa Boodarian ishte ende brenda, duke çuar në një konfrontim dhe të shtëna. Pas kësaj, i dyshuari iku.
Policia e identifikoi Boodarian duke përdorur pamjet e sigurisë dhe softuerin e njohjes së fytyrës. Ai u arrestua të martën në shtëpinë e tyre. Agjencia e njësisë së të arratisurve e FBI-së gjithashtu mori pjesë në aksion. Dokumentet e gjykatës tregojnë se Boodarian ka një histori të akteve të dhunshme, por akuzat e mëparshme kundër tij janë hedhur poshtë vazhdimisht.
Vdekja e Robin Kaye shkaktoi trishtim të madh tek kolegët dhe fansat e shfaqjes American Idol, ku ajo punoi si prezantuese muzikore për më shumë se dhjetë vjet.
“Jemi të shkatërruar nga lajmi për ndarjen nga jeta të Robin dhe bashkëshortit të saj të dashur Tom”, tha kompania e prodhimit të shfaqjes në një deklaratë.
“Robin ishte një anëtare kyçe e ekipit tonë muzikor që nga viti 2009 dhe ishte vërtet e dashur dhe e vlerësuar nga të gjithë ata që e takuan. Ajo do të mbetet përgjithmonë në zemrat tona.”
Vrasja e çiftit është ende nën hetim dhe priten informacione shtesë rreth një motivi të mundshëm dhe veprimeve të mëtejshme kundër të dyshuarve. /Telegrafi/