Pjerin Ndreu, kryetar i Bashkisë së Lezhës, në një lidhje direkte në Debat Plus në RTV Dukagjini, ka folur lidhur me protestën e nesërme në Tiranë “Unë jam UÇK – Protestë gjithëkombëtare”.
Ai ka thënë se dëshmitarët e prokurorisë që ka dëgjuar në Hagë janë një turp për t’i thirrur një gjykate të atij niveli.
“Ky proces ka degraduar, nuk është një proces për të nxjerrë diçka, por është proces për ta etiketuar UÇK-në, patjetër për ta bërë me njollë”, ka thënë Ndreu.
Ai ka shtuar se është pretenduar se kjo do të shërbente si një njollë dhe se nuk do të ekzistonte më balanca mes agresorit dhe viktimës, një përpjekje që, sipas tij, shumë vende të botës janë përpjekur ta paraqesin sikur UÇK-ja ka aq faj sa edhe agresori, gjë që e cilësoi të turpshme.
“Megjithatë, sot do duhej të jemi në këmbë, të lëmë mënjanë ndërmarrjet e politikës së ditës. Secili ka një shpjegim, tjetri si ulet tjetrit… kush nuk do, të mos vijë; s’ka nevojë të bëjmë debat e akuza. Kush do, le të vijë”, ka theksuar Ndreu.