Deklarimi i pasurisë për zyrtarët publikë zhvillohet në tri faza: me marrjen e detyrës, përfundimin e saj dhe përmes deklarimit të rregullt vjetor për vitin paraprak.
Sipas Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, mbi 10 mijë e 350 zyrtarë janë të obliguar për deklarimin e rregullt këtë vit. Megjithatë, në orët e fundit të afatit, qindra prej tyre ende nuk e kanë përfunduar këtë proces.
“Deri në këto momente në orët e pasdites të ditës së fundit, e kanë kryer obligimin shumica dërrmuese e tyre, kanë mbetur edhe 300 zyrtar pa hapur fare deklarimin e pasurisë, pra e kanë lënë në momentin e fundit dhe janë 350 që janë në përfundim të deklarimit të pasurisë. Do të thotë i kemi rreth 650 të cilët ende nuk e kanë kryer deklarimin e pasurisë kur i kemi edhe ndoshta më pak se 10 orë në përfundim të këtij procesi”, ka thënë Yll Buleshkaj, drejtor I APK-së.
Autoritetet paralajmërojnë se menjëherë pas përfundimit të afatit do të nisin procedurat ndëshkuese.
“Hapat e parë, menjëherë me 1 prill ne e bëjmë listën dhe tentojmë ta pastrojmë atë dhe shqiptojmë gjobat mandatore prej 30 përqind të pagës mujore të zyrtarëve. Do të thotë, secili zyrtar që nuk e kryen obligimin deri në fund të ditës sot, deri në orën 12 të natës, nesër do të kontaktohet dhe fillojnë procedurat për shqiptimin e gjobave mandatore që shkon deri në 500 euro”, ka shtuar Buleshkaj
Sipas Agjencisë, shumica e zyrtarëve që nuk e kanë deklaruar pasurinë, nuk u përkasin niveleve të larta drejtuese, por ligji zbatohet njësoj për të gjithë. Në mesin e subjekteve deklaruese përfshihen zyrtarë të administratës publike, policë hetues, si dhe për herë të parë edhe mjekë dhe profesorë të institucioneve publike.
Vitin e kaluar janë shqiptuar mbi 130 gjoba për vonesa, përfshirë edhe zyrtarë të lartë. Agjencia u bën thirrje të gjithë zyrtarëve që ta respektojnë afatin, duke theksuar se transparenca mbetet thelbësore për besimin e qytetarëve në institucionet publike. /RTK/






