Ahmet Ademi, dëshmitari i dytë i mbrojtjes së Salih Mustafës në Hagë, ka thënë se nuk ka qenë në dijeni se ekziston njësia BIA dhe se nuk ka njohur ndonjë pjesëtar të saj. Ai i ka thënë turpit gjykues që në Kryqin e Kuq të Kosovës vinin disa persona për të marrë pajisje mjekësore e gjëra ushqimore për civilët dhe se për të njëjtit kishte dëgjuar të tjerët të thoshin se i takojnë BIA-s.
Ademi, i cili ka treguar se gjatë periudhës së luftës ka shërbyer në Kryqin e Kuq të Kosovës, ka thënë se Salih Mustafën e ka parë derisa ka ardhur të marrë gjëra në zyre.
Ai ka thënë se nga të tjerët që punonin në zyrën e Kryqit të Kuq kishte dëgjuar se personat që vinin ishin nga BIA dhe se pjesë e tyre ishte komandant Cali.
“Unë për vete nuk kam qenë në dijeni se nuk i kam njohur askënd, por i kam dëgjuar të zyrat që thoshin se erdhën pjesëtarët këta të BIA-s erdhën të marrin sende, ndër ta ka qenë komandanti, ndër ta ka qenë Salihi, atëherë e quanin Cali, as unë emrin nuk ia kam ditë, e quanin Cali, i merrte gjërat me disa persona të tjerë, i merrnin gjëra, ushqimore, medikamente, qumësht për fëmijë, i mbushnin torbat dhe vazhdonin rrugën, ajo ka qenë dy apo tre herë të ne në atë kohë. Aty e kam dëgjuar fjalën BIA, se as nuk kam qenë në ngjarje, as sot nuk e di çka do të thotë fjala BIA”, ka thënë Ademi.
Ai ka thënë se Salih Mustafën e takuar disa herë gjatë periudhës së luftës.
Dëshmitari ka thënë se zyra e Kryqit të Kuq nuk ka marrë urdhra nga askush dhe as nga ndonjë brigadë apo njësi e UÇK-së.
Ademi ka thënë se nuk ka qenë asnjëherë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës veçse u ka shërbyer atyre dhe popullit të Kosovës si anëtar i Kryqit të Kuq.
Ai ka thënë se në vitin 1997 serbët e kishin larguar nga Kryqi i Kuq dhe pastaj ishte pjesë e themelimit të Zyrës së Kryqit të Kuq të Kosovës.
Emrin e tij në listën e veteranëve të luftës së UÇK-së, Ademi e ka arsyetuar si respekt të cilin ka thënë se e kanë bërë të tjerët, për shkak të kontributit që ka dhënë si ndihmës.
“Në shërbim të UÇK-së, anëtar i UÇK-së, nuk kam qenë, kam qenë vetëm punëtor i ndihmës që i kam bartur sendet dhe i kam dërguar nëpër pika të ndryshme, si në Drenicë, Llap, Gollak, Karadak, Gjilan, por për hir të atyre, se nuk jam i vetmi unë në listë, por ka edhe shumë të tjerë që janë futur në listë njerëz të cilët kanë dhënë kontributin e vet. Nuk është e thënë vetëm të kapësh armën dhe të dilësh për të luftuar, por është e thënë se edhe kush ka dhënë kontribut, dhe këtë pasi e kanë bërë Nehati e këta të tjerët më kanë treguar se më kanë futur në listën e veteranëve për kontributin e dhënë gjatë periudhës ’98-99”, ka thënë ai.
Ademi ka shtuar se nuk e ka pranuar ndihmë financiare nga shteti në emër të statusit të veteranit.
Gjyqi ndaj Salih Mustafës në Hagë do të vazhdojë nesër me dëgjimin e dëshmitarit të tretë të mbrojtjes.
Mustafa është arrestuar më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendimin për krime lufte.
Ai po qëndron në qendrën e paraburgimit në Hagë ndërsa në deklarimin e tij para trupit gjykues është deklaruar i pafajshëm.