Policia zhvillon kontrolle të befasishme në Prizren në kuadër të “Sezonit Veror 2025”
Policia e Kosovës ka realizuar një operacion gjatë mbrëmjes së 21 qershorit në qytetin e Prizrenit, në kuadër të planit operativ “Sezoni Veror 2025”.
Gjatë kontrolleve në disa lagje të qytetit, në lokale dhe automjete, policia bëri të ditur se është ndaluar një person tek i cili është gjetur një thikë brezi. I dyshuari është shoqëruar në stacionin policor dhe ndaj tij është iniciuar hetim për posedim të paautorizuar të armës.
Policia ka bërë të ditur më tej se kontrollet do të vazhdojnë për të garantuar rendin dhe sigurinë gjatë sezonit veror.
Njoftimi i plotë:
Kontrolle të befasishme në kuadër të planit operativ “Sezoni Veror 2025”
Prizren, 22 qershor 2025
Mbrëmë, më datë 21.06.2025, Policia e Kosovës, përkatësisht Stacioni Policor në Prizren, në bashkëpunim me Njësitin Kundër Trafikimit me Narkotikë dhe me përkrahjen e Njësive të Reagimit të Shpejtë (NJRSH) nga Prishtina, Gjekova dhe Ferizaji, në koordinim të ngushtë me Prokurorinë Themelore në Prizren, kanë realizuar një operacion të planifikuar me kontrolle të befasishme të personave në disa lokale dhe automjete në lagje të ndryshme të qytetit të Prizrenit.
Ky operacion është zhvilluar në kuadër të planit operativ “Sezoni Veror 2025”, i cili ka për qëllim rritjen e sigurisë publike dhe parandalimin e veprimtarive të paligjshme e dukurive negative gjatë sezonës verore.
Gjatë këtij operacioni, të paktën tek një person është gjetur një thikë brezi. I dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim, dhe ndaj tij është iniciuar procedurë hetimore për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.
Policia e Kosovës do të vazhdojë me aktivitete të tilla në funksion të garantimit të rendit dhe sigurisë publike për të gjithë qytetarët, veçanërisht gjatë sezonit të verës