I ngarkuari me punë në Ambasadën së Kosovës në Austri, Albinot Bimbashi, mori pjesë si i ftuar nderi në ceremoninë e përurimit të linjës së re ajrore Prishtinë–Salzburg–Prishtinë, e cila u mbajt në Aeroportin e Salzburgut “Wolfgang Amadeus Mozart”.
Në këtë ngjarje të rëndësishme ishin të pranishme edhe drejtoresha ekzekutive e aeroportit, Bettina Ganghofer, si dhe përgjegjësja për marketing, Isabella Laimer.
Linja e re direkte, e operuar nga GP Aviation së bashku me PrishtinaTicket , do të ofrojë dy fluturime në javë, duke lehtësuar ndjeshëm udhëtimin e mërgatës drejt Kosovës dhe duke kontribuar në rritjen e shkëmbimeve kulturore, ekonomike dhe turistike ndërmjet Kosovës dhe Austrisë.
Me këtë zhvillim, Salzburgu bëhet qyteti i dytë pas Vjenës që lidhet drejtpërdrejt me Kosovën përmes fluturimeve ajrore, duke shënuar një hap të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Ky projekt vlerësohet si një sukses i rëndësishëm për lidhjen më të afërt të diasporës me vendlindjen dhe për zhvillimin e mëtejmë të bashkëpunimit dypalësh.






