Kryeqytetasit arritën të marrin një epërsi të rëndësishme përballë liderit aktual të Superligës për ndeshjen e kthimit, ndonëse që nga minuta e 26-të mbetën me një lojtar më pak në fushë, pas përjashtimit të Ardian Limanit.
Golin e vetëm të këtij takimi e realizoi Ardian Muja nga penalltia në minutën e pestë, duke i dhënë avantazhin Prishtinës që në fillim të ndeshjes.
Pjesa e dytë solli më shumë iniciativë nga ana e Dritës, e cila pati epërsi në posedim të topit, mirëpo nuk arriti të krijojë shumë raste të rrezikshme para portës së Kolajt, që ishte i sigurt në të gjitha ndërhyrjet.
Kjo ishte ndeshja e parë e trajnerit Arsim Thaqi në krye të Prishtinës pas rikthimit të tij.
Ndeshja e kthimit do të zhvillohet më 23 prill në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë dhe do të përcaktojë skuadrën që do të sigurojë finalen e madhe të edicionit 2024/25 të Kupës së Kosovës.
Ndeshja tjetër gjysmëfinale ndërmjet Llapit dhe Drenicës zhvillohet të enjten, në orën 15:00.