Një tjetër mandat i qeverisjes lokale në Prishtinë po shkon drejt përfundimit, dhe përsëri kryeqyteti nuk ka arritur të ketë spitalin e vet, pavarësisht se ky projekt është planifikuar vazhdimisht në buxhet gjatë viteve të fundit, por nuk ka kaluar kurrë në fazën e inicimit.
Kryetari aktual i Prishtinës, Përparim Rama, prezantoi planin për spitalin e Prishtinës në qershor të vitit 2022. Dy muaj më pas, Rama deklaroi se punimet do të niseshin në vitin 2023, por ato sërish nuk filluan.
Në vitin 2024, ai përsëriti se ndërtimi i spitalit do të nisë shumë shpejt, por kësaj radhe pa caktuar një datë konkrete.
Plani për ndërtimin e Spitalit të Prishtinës kishte nisur që në vitin 2019, kur ministri i Shëndetësisë në atë kohë, Uran Ismaili, së bashku me ministrin e Administratës Publike, Mahir Yagcilat, nënshkruan memorandumin e mirëkuptimit për fillimin e ndërtimit të spitalit.
Albanian Post ka kontaktuar drejtorin e Shëndetësisë në komunën e Prishtinës, Izet Sadiku, i cili ka udhëhequr këtë drejtori gjatë katër viteve të fundit, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka dhënë përgjigje për pyetjet e dërguara.
Nga ana tjetër, Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur për Albanian Post se themelimi dhe ndërtimi i Spitalit të Prishtinës ka bazë ligjore në ligjin për kryeqytetin e Kosovës.
MSH-ja ka dhënë vetëm kornizën ligjore për projektin.
“Kryeqyteti themelon spitalin e përgjithshëm të Kryeqytetit, funksionimi dhe organizimi i të cilit rregullohet me legjislacionin përkatës në fuqi”, duke shtuar se “Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës themelohet si institucion shëndetësor me rëndësi të veçantë publike, me seli në Prishtinë”, thuhet në përgjigjen e MSH-së për Albanian Post.
Hulumtuesi Arbër Kabashi, nga Iniciativa për Progres (INPO), ka deklaruar për Albanian Post se nga të dhënat e mbledhura për planifikimet e prokurimit dhe kornizat afatmesme buxhetore të Komunës së Prishtinës shihet se ky projekt ka qenë i planifikuar vazhdimisht në buxhet gjatë viteve të fundit.
Megjithatë, ai sqaroi se projekti nuk ka kaluar kurrë në fazën e inicimit.
“Në vitin 2022 ishte planifikuar aktiviteti ‘Projektimi i Spitalit të Qytetit’ në vlerë prej 500,000 euro. Në vitin 2023 u planifikua aktiviteti ‘Ndërtimi i Spitalit të Prishtinës’ në vlerë prej 34 milion euro. Në vitin 2024 i njëjti aktivitet figuron në vlerë prej 12.8 milion euro, ndërsa për vitin 2025 është planifikuar vetëm 1.26 milion euro”, ka thënë Kabashi për AP.
Ai thotë se kornizat afatmesme buxhetore nga viti 2023 deri në vitin 2025 parashihnin vetëm 3.9 milion euro, ndërsa KAB 2024–2026 e ngriti këtë shifër në 15 milion euro.
“Nga këto të dhëna shihet qartë se vlerat e planifikuara kanë ndryshuar në mënyrë drastike nga viti në vit. Një luhatje e tillë e vazhdueshme tregon mungesë konsistence dhe serioziteti në realizimin e këtij projekti nga ana e Komunës së Prishtinës. Për një projekt kapital kaq të madh, nuk është në rregull që në një vit të planifikohen 34 milion €, ndërsa dy vite më vonë vetëm 1.2 milion €”.
Sipas Kabashit, ky ndryshim i shpeshtë krijon përshtypjen e një “qasjeje të papërgjegjshme” dhe “të paqëndrueshme”, duke shtuar se projekti “më shumë mbetet vetëm në kuadër të premtimeve politike sesa në hapa konkretë për realizimin e tij”.
Ai fajëson komunën e Prishtinës për neglizhencën në nisjen e punimeve.
“Duke qenë se procesi i caktimit të lokacionit u finalizua në vitin 2022, dhe në vitin 2023 ka pasur planifikim buxhetor për këtë projekt, mosnisja e punimeve deri më sot e bën Komunën e Prishtinës përgjegjëse për mosrealizimin e tij”.
Kryetari aktual i Prishtinës, Përparim Rama, e ka përfshirë sërish në planprogramin e tij ndërtimin e Spitalit të Prishtinës. Një premtim të ngjashëm kanë dhënë edhe kundërkandidatët e tij Hajrulla Çeku nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Uran Ismaili nga Partia Demokratike e Kosovës.
Nisma për ndërtimin e një spitali modern në Prishtinë ka qenë prej vitesh një premtim i rëndësishëm i institucioneve shëndetësore dhe qeverisë së Kosovës. Qëllimi kryesor është përmirësimi i infrastrukturës shëndetësore dhe ofrimi i shërbimeve më të avancuara mjekësore për qytetarët e kryeqytetit dhe rajoneve përreth.
Projektin e ka mbështetur qeveria përmes Kornizës Afatmesme Buxhetore (KAB), duke alokuar fonde që përfshijnë ndërtimin e ndërtesës, pajisjet mjekësore moderne, si dhe trajnimin e stafit shëndetësor.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, spitali pritet të ofrojë shërbime komplekse, duke përfshirë kirurgjinë e avancuar, onkologjinë, kardiologjinë, dhe emergjencat kritike, që aktualisht janë të përqendruara në objektet më të vjetra të kryeqytetit.